Ngjitja në kategorinë e parë të futbollit shqiptar, ka bërë që drejtuesit e Veleçikut të Koplikut ta marrin shumë seriozisht pjesmarrjen në këtë kompeticion.
Skuadra ndërkohë prej katër ditësh ka nisur stërvitjen dhe në seancat e para duhet thënë se kontigjenti I futbollistëve nuk ka qenë I plotë. Por, duke filluar nga dita e hënë në dispozicion të trajnerit Besnik Duli dhe stafit të tij pritet të ketë më shumë sportistë.
Madje përveç atyre që kanë qenë pjesë e skuadrës sezonin e kaluar, pritet të ketë të tjerë që do të vijnë për t’u provuar. Madje, përveçse nga Shkodra dhe qytete të tjera të Veriut, mendohet të ketë edhe ndonjë nga Mali I Zi.
Synohet ndërtimi I një skuadre solide e cila jo vetëm të sigurojë qëndrimin në këtë kategori por edhe të pretendojë të jetë në mes më të mirave të këtij kampionati.
Përveçse skuadra ka nisur punë në fushën e stërvitjes, drejtuesit e lartë të klubit kanë filluar procedurat për shndërrimin e Veleçikut nga klub sportiv në shoqëri aksionere siç është edhe Vllaznia.
Një vendim I tillë është marrë edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak dhe shumë shpejt pritet shndërrimi në këtë formë ligjore. Ideja është që koplikasit të funksionojnë si duhet me dokumentacion ndërkohë që pritet ta thonë fjalën e tyre edhe në kampionat duke mos qenë thjesht kalimtarë.
Tashmë ndërkohë ka mbetur pa u saktësuar edhe vendi se ku do t’I luajë ndeshjet ekipi I Veleçikut. Flitet për në “Reshit Rusi” por në fakt ende nuk ka një marrëveshje me Bashkinë Shkodër që është edhe pronatja legjitime e këtij objektivi sportiv megjithatë shumë shpejt mund të arrihet akordi edhe për këtë çështje.
© shkodrasport.com