Koplikasit kanë nevojë për një trajner që t’i shpëtojë nga rënia prej kategorisë. Pas dorëheqjes së parë të Kreshnik Krepit dhe më pas edhe të Besnik Dulit, Veleçiku ka mbetur pa trajner. Në dy ndeshjet e fundit, skuadra është drejtuar në pankinë nga shefi i klubit Dalip Rustemaj me shpresë se shumë shpejt do gjendej trajneri i ri. Por në fakt, po kalojnë ditë dhe zgjidhja e kësaj dileme nuk duket të jetë kaq e lehtë.
Lajmi më i fundit që mësohet është se drejtuesit e klubit i kanë bërë ofertë Entri Çakut për të marrë përsipër këtë detyrë. Kjo konfirmohet nga burime pranë klubit të cilat thonë se trajneri në fjalë është konsideruar më i përshtatshmi për momentin për ta nxjerrë skuadrën nga kriza aktuale ku ndodhet. Këtë ofertë në fakt e ka pohuar edhe vetë Çaku që për gazetën do të shprehej kështu pasditen e djeshme: “Po, është e vërtetë se drejtuesit e Veleçikut më kanë kontaktuar dhe më kanë bërë një ofertë për ta drejtuar për pjesën e mbetur deri në fund të sezonit. Ka qenë thjesht një bisedë e parë por unë besoj se brenda 2-3 ditësh do të kem edhe një tjetër bisedë me kryetarin e Bashkisë, njëkohësisht edhe presidentin e ekipit, z. Ramadan Likaj për të saktësuar përfundimisht gjërat”. Çaku në fakt ka punuar edhe më parë në Koplik teksa para 6 vitesh ka drejtuar me sukses Veleçikun në një sezon duke lënë përshtypje të mira me punën e tij. Pikërisht kjo përshtypje e mirë, kanë bërë që drejtuesit e klubit ta thërrasin sërish për të marrë përsipër drejtimin e skuadrës. Gjërat deri në bisedën e dytë në mes tij dhe kryebashkiakut- president, duken ende pezull. Megjithatë, Çaku i pyetur nëse shanset janë më shumë për ta pranuar apo refuzuar këtë ofertë, ka lënë të kuptojë se shanset më shumë janë për jo. “Unë i falenderoj drejtuesit e Veleçikut për ofertën e bërë megjithatë e shoh pak të vështirë uljen time në pankinën e kësaj skuadre. Kjo për dy arsye. E para, aktualisht jam i angazhuar në një punë e cila më merr shumë kohë. Dhe e dyta, edhe nëse do sakrifikoja pak nga puna ime, konstatoj se gjërat nuk janë mirë aktualisht tek kjo skuadër. Shumica e lojtarëve titullarë kanë marrë letrat dhe nuk janë më pjesë e skuadrës. Për këto arsye, nuk mendoj se do t’i them “po” ofertës së drejtuesve koplikas megjithëse, e përmenda edhe më lart, kam edhe një takim të fundit me presidentin para se të vendos përfundimisht”- ka thënë Çaku për gazetën tonë.
Gjergj KOLA