Veleçiku do të udhëtojë ditën e sotme drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me ekipin e Tiranës, për llogari të ndeshjes së dytë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Koplikasit, e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli, në ndeshjen e parë u mundën nga bardheblutë me rezultatin 3-0, teksa tashmë ndeshja e kthimit do të jetë një thjesht një formalitet për t’u kryer.

Një gjë e tillë vjen natyrisht prej diferencave mes dy ekipeve, teksa nuk ka nevojë për shumë koment, por gjithsesi Veleçiku do mundohet të tregojë vlerat e tij më të mira në fushën e lojës.

Qëllimi dhe misioni real i koplikasve këtë sezon futbollistik, është rikthimi i skuadrës në Kategorinë e Parë dhe prandaj, në krye të pankinës është emëruar një trajner si Dritan Smajli, futbollist që më herët ka bërë karrierë me Vllazninë, por edhe me Kukësin dhe Tiranën.

Ndërkohë, Tirana-Veleçiku do të luhet ditën e sotme në qendrën stërvitore bardheblu “Skënder Halili”, për llogari të ndeshjes së dytë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, duke nisur nga ora 14:00. Në këtë përballje të Kupës, koplikasit do mundohen të marrin më të mirën, teksa kjo ndeshje mund të ndikojë edhe në karikimin e skuadrës për vazhdimësinë në kampionatin e Kategorisë së Dytë.
Maringlen ZHIVANI