Pas një fillimi shumë të mirë të këtij sezoni futbollistik, Ada e Velipojës ka pesë javë radhazi që nuk e shijon fitoren. E kjo ka bërë që që në radhët e kësaj skuadre, secili ta ndiejë përgjegjësinë se tanimë nuk duhet toleruar më, por duhet kthyer tek fitorja që këtë javë. Në javën e nëntë të Kategorisë së Parë, Ada pret në fushën e vet, ekipin e Vlorës. Në pamje të parë duket një ndeshje e lehtë, por vrealisht tekniku i velipojakëve mendon të kundërtën. “Kështu ishin menduar edhe ndeshjet e tjera, që kanë kaluar, por ne kemi pesë javë që nuk fitojmë, ndonëse kemi arritur barazime, por edhe humbje.
Prandaj nuk ka ndeshje të lehta, sidomos në Kategorinë e Parë, ku skuadat janë aty-aty, pranë e pranë njëra-tjetrës. Pra diferencat janë të vogla dhe kështu që nuk ka dhe nuk shoh asnjë arsye, që ta marrim lehtë ndeshjen e radhës, ndaj Vlorës”, ka thënë në fillim kreu i pankinës velipojake. Më pas ai ështeë ndalur tek domosdoshmëria për ta fituar ndeshjen e radhës, pavarsisht se edhe kësaj here ka mungesa në radhët e Adës. “Nëse mund të them “fitore o sot o kurrë”, duke e lidhur me takimin e fundjavës me Vlorën në Velipojë, por ajo që nuk do të tolerohet më dhe nuk ka rrugë tjetër për ne, është vetëm fitorja. Nëse nuk fitojmë edhe kësaj radhe, pastaj mund të them se kjo skuadër ka probleme dhe duhen parë gjërat ndryshe. Megjithatë unë nuk e mendoj këtë, por jam i bindur, sikurse edhe të gjitha lojtarët se ndaj vlonjatë të kategorisë së parë na duhet vetëm fitorja këtë javë. Luajmë në fushën tonë dhe duhet të kthehemi tek pikët maksimale në një ndeshje. Nuk duhet ta kthejmë kokën mbrapa, por duhet të shohim përpara. Ndeshjet e kaluara, i kemi analizuar, duke nxjerrë mësimet e duhura, por jo në pak raste jemi ndëshkuar edhe nga arbitrat. Por kjo tashmë i përket të së shkruarës dhe duhet t’i bëjmë llogaritë vetëm për ndeshjen, që kemi përpara, duke nisur nga takimi me Vlorën. Nga skuadra kërkoj mobilizim maksimal për të marrë vetëm fitoren”, ka mbyllur prononcimin e tij, trajneri i Adës së Velipojës Samuel Nikaj, për ndeshjen e radhë. Në këtë ndeshje vendasve do t’u mungojnë përsëri portieri Bishani dhe mbrojtësi Ara të dënuar nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa Hotaj, që vazhdon të jetë i dëmtuar. Ndryshe nga një javë më parë, ku në Mamurras mungonin plotë gjashtë futbollistë, tanimë janë tre më pak, pasi Osja, Puka dhe Ferlushkaj janë të gatshëm për ndeshjen e radhës.
Mejdan Zhivani