Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë vendimet e radhës në mbledhjen e tij, ku vëmendja kryesore është përqëndruar tek Projekti i Zyrave të Reja të FSHF-së, me ndryshimet përkatëse, ku përfshihet përveç zyrave edhe një fushë, por edhe miratimi i ndertimit të një mini-stadiumi të ri, afër zyrave të reja të federatës, si një kompleks më vete. Anëtarët e Komiteti vendosën për ndryshimet e reja, duke kaluar më pas në miratimin e tyre.
Po kështu, Komiteti Ekzekutiv miratoi ngritjen dhe në vijimësi mbështetjen, për ekipin kombëtar të femrave U-17, një projekt i ri për futbollin e femrave. Pas kombëtares A të femrave, kombëtares U-19, tashmë do të ketë skuadrën dhe stafin e saj edhe ekipi përfaqësues i femrave U-17. Me miratimin e strukturës nga KE, do të nisë menjëherë puna për këtë ekip përfaqësues.
Në aspektin e investimeve, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, ka miratuar fondin për fushën sportive të Librazhdit dhe sistemin vaditës aty, të dyja këto me koston e mbuluar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Gjatë gjithë kohës në vijimësi të mbledhjeve të tij, KE ka miratuar fonde për infrastrukturën sportive të futbollit, dhe kjo e fundit lidhet këtë radhë me fushën në Librazhd.