FSHF konfirmon edhe një pagë prej 300 mijë lekësh të vjetër për çdo futbollist dhe trajner në Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë.

Lajmin e konfirmoi dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” drejtori administrativ i institucionit të futbollit shqiptar, Kejdi Tomorri.

Gazeta kërkoi një sqarim të detajuar nga FSHF për fondin prej 4.3 milionë eurosh që UEFA ka shpërndarë së fundmi për secilën federatë në Europë. Vetëm 800 milionë lekë të vjetër do të shkojnë kesh për komunitetin e futbollit, ndërsa 3.25 milionë euro nga fondi që ka dhënë UEFA do të kalojnë si investim për stadiumin e Kukësit.

Gjithsesi, drejtori administrativ i FSHF-së tregoi se institucioni ka në plan që të ndërtojë fusha të tjera me pjesën e mbetur nga ky fund, ndërsa po punohet edhe për dy ministadiumet që do të ndërtohen te “Shtëpia e Futbollit” (ish-kompleksi “Dinamo”).

Zoti Tomorri, UEFA ka shpërndarë 4.3 milionë euro për çdo federatë. Ky fond do të përdoret si ndihmë për klubet në këtë moment kritik?

Federata Shqiptare e Futbollit, në këto kohë pandemie, duke parë refuzimin e qeverisë shqiptare, u mundua të ndihmojë të gjithë komunitetin e futbollit, duke akorduar një shumë prej rreth 800 milionë lekësh të vjetër për dy muaj, të shtrirë nga 15 marsi në 15 maj.

Nëpërmjet pagesës për secilin lojtar, trajnerë dhe zyrtar klubi, prej 300 mijë lekësh të vjetër, ne jemi munduar të plotësojmë nevojat bazike. Deri në këtë moment që jemi duke folur, nuk ka një vendim për shpërndarjen e një rroge tjetër. Kjo sigurisht do të jetë në varësi të rifillimit të aktivitetit futbollistik, për të cilin ne kemi prezantuar një kërkesë ndaj autoriteteve të vendit për të na hapur dritën jeshile të rikthimit në fushë.

Atëherë, çfarë destinacioni do të kenë 4.3 milionë eurot?

Në lidhje me lajmin e dy ditëve më parë, ku UEFA së bashku me Byronë e komitetit “Hat Trick” morën vendimin për të lehtësuar kushtet për përfitimin e fondeve të paracaktuara nga ky komitet, më duhet të theksoj se këto fonde janë të parashikuara më parë.

Pra, nuk ka ndonjë fond ekstra që është dedikuar për situatën e krijuar nga “COVID-19”. Ne do të shikojmë mundësinë e rishikimit të disa projekteve, për të krijuar një buxhet që do të lehtësonte sforcon ekonomike që FSHF ka bërë për të ndihmuar anëtarët e vet.

Mund ta dimë se çfarë planesh janë bërë?

Ne jemi duke investuar në një projekt shumë të rëndësishëm, siç është stadiumi i ri në Kukës. Një stadium që do të jetë i Kategorisë së Tretë të UEFA-s, me një vlerë totale investimi prej 6.5 milionë eurosh.

Sa do të investojë FSHF-ja në stadiumin e Kukësit?

FSHF do të japë 50% të vlerës së investimit dhe 50% do të përballohet nga qeveria shqiptare. Pra, gjysma e fondit është planifikuar të investohet për stadiumin në Kukës dhe pjesa tjetër është në plan për fushat e reja që ne kemi për të ndërtuar në 2-3 vitet e ardhshme.

FSHF është duke punuar edhe në lidhje me projektin sportiv te “Shtëpia e Futbollit”, ku pasi ka përfunduar faza e parë, që është godina e zyrave të reja të FSHF-së, po vazhdohet të punohet për dy ministadiumet dhe ambientet fizioterapike dhe të rikuperimit të futbollistëve.