Gjatë ditës së sotme, KAS ka dhënë vendimin e tij në lidhje me kërkesën e Skënderbeut për të shfuqizuar dënimin e dhënë nga UEFA, duke e hedhur poshtë këtë kërkesë.

Vendimi i KAS-it e lë jashtë Europë Skënderbeun, ndërkohë që ky vendim ka zyrtarizuar edhe klubet që do të luajnë në Europë.

Ky vendim, ka kaluar Kukësin në Ligën e Kampionëve, ndërkohë që verilindorët janë edhe favoritë për të kaluar të paktën turin e parë, p;asi janë të pozicionuar në vazon e parë dhe për pasojë, kundërshtari do të jetë m i lehtë në letër.

Përgatitjet për Europën, Kukësi i ka nisur prej disa ditësh, duke qenë se ka bërë disa goditje në merkato, ndërkohë që vendim i fundit i ka siguruar pjesëmarrje në “Champions”.

Si Laçi, ashtu edhe Luftëtari nuk janë prekur nga ky vendim, duke qenë se e kanë pasur të sigurt pjesëmarrjen në Ligën e Europës dhe përgatitjet për këtë kompeticion kanë nisur, ku janë emëruar edhe trajnerët e ri të skuadrave.

Partizani, ashtu si Kukësi është klubi që ka përfituar më shumë nga ky dënim, duke qenë se ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, pavarësisht se në renditjen e Superiores, kishte përfunduar në vendin e pestë.

“Demat e kuq” e kanë kohën më të limituar, ndërkohë që Partizani ka njoftuar për “VIP Sport” se do të grumbullohet gjatë ditës së nesërme, për të nisur përgatitjet për Ligën e Europës.

Si Partizani, ashtu edhe Laçi e Luftëtari do ta nisin fushatën e tyre eliminatore nga turi i parë i Ligës së Europës, ndërkohë që tre skuadrat janë të pozicionuara në vazon e dytë dhe në letër, parashikohet një kundërshtar më i vështirë.

Ndarja e vazove bëhet në bazë të koefiçientëve të skuadrave dhe kampionateve. /Vipsport/