Nesër do të luhen ndeshjet e javës së 13-të të kategorisë së parë, por jo të gjitha. Kjo sepse ndeshja Iliria- Veleçiku nuk do të luhet këtë ditë. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që takimi në fjalë të mos luhet bashkë me katër ndeshjet e tjera të grupit A, por të shtyhet për të hënën.
Kjo gjë shihet qartë në kalendarin e kësaj jave të publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së. Arsyeja e këtij spostimi ka të bëjë me atë se në stadiumin e Fushë- Krujës ditën e dielë luhet ndeshje e Superligës Kastrioti- Teuta dhe nëse aty do të luante të shtunën Iliria, do të thotë se gjendja e fushës do të rëndohej edhe më shumë.
Për këtë arsye, i është kushtuar më shumë rëndësi përballjes së Superligës sesa asaj të kategorisë së parë, pavarësisht se “Redi Maloku” është stadiumi i Ilirisë.
Kjo ka bërë pra që ndeshja e saj ndaj Veleçikut të shtyhet për të hënën në orën 14.00. Kjo shtyrje me siguri që do ta shtyjë edhe ndeshjen e javës tjetër Veleçiku- Vllaznia për të dielën por gjithsesi duhet pritur vendimi i Federatës për këtë gjë.
© shkodrasport.com