Një fitore me përmbysje ka qenë dhurata më e mirë për zëvendëstrajnerin Robert Karma nga futbollistet e ekipit “Juban Danja- Murlani”. Në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit luajtur në fushën sportive të Barbullushit, vajzat shkodrane kanë fituar me rezultatin e ngushtë 2-1.
Ndeshja ka qenë shumë e luftuar dhe meritë këtu ka patur edhe ekipi i Partizanit i cili kaloi i pari në avantazh me anë të futbollistes Begallo në minutën e 31-të të saj. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol të vajzave të kuqe.
Pjesa e dytë ndërkohë ka qenë krejt ndryshe dhe është dominuar tërësisht nga futbollistet vendase. Në fillim ka qenë Çerkini ajo që ka barazuar shifrat në minutën e 53-të.
Ndërkohë që goli i fitores do të mbante firmën e mesfushores Fabiola Caka e cila tregoi edhe njëherë vlerat e saj duke i dhënë një trepikësh me shumë vlerë ekipit të saj.
Me këtë fitore, “Juban Danja- Murlani” është ngjitur në kuotën e 27 pikëve dhe mban për momentin vendin e pestë në renditje, por duke qenë vetëm dy pikë larg Tirana AS që mban vendin e dytë.
Padiskutim që objektivi në ndeshjet e ardhshme do të jetë ngjitja në vendin e tretë dhe skuadra i ka mundësitë për ta bërë këtë gjë sepse përbërja e saj e garanton arritjen e tij./SHKODRA-SPORT.COM/