Derbi mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet në Elbasan.
Kështu është vendosur nga FSHF dhe dy klubet. Partizani-Tirana luhet të shtunën, ora 19:45, në Elbasan.
Të kuqtë kërkuan që derbi të luhej në “Air Albania”, por ishte UEFA që nuk e lejoi një gjë të tillë, sepse fusha mund të dëmtohej.
Më pas u hodh ideja që takimi të zhvillohej në “Selman Stërmasi”.
Gjithsesi, të kuqtë nuk pranuan, sepse fusha ishte shumë e keqe në sfidën me Dinamon dhe palët vendosën që ndeshja të zhvillohet në Elbasan.
Derbi i fundit që është luajtur në Elbasan, i përket janarit 2021 kur të kuqtë fituan 1-0 dhe asokohe trajner i Tiranës ishte Nevil Dede.
Tashmë është bërë traditë që kjo sfidë e kryeqytetit të luhet në Elbasan.
Në tri derbet e këtij sezoni, dy herë ka fituar Tirana, ndërsa në takimin e tretë ndeshja u mbyll në barazim.