Tirana është skuadra që është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës përballë Teutës në “Elbasan Arena”, në takimin që u mbyll me rezultatin 1-1 dhe u vendos vetëm falë penalltive.
Sfida nis më mirë për durrsakët, të cilët provuan disa herë, deri sa gjetën golin me anë të Peposhit, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 28’.
Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, me bardheblutë që u munduan të gjenin rrugën e rrjetës, teksa në minutën e 73’ pretenduan dhe për një penallti, por gjyqtari, pas rishikimit me VAR, e anuloi vendimin e tij të parë për një 11-metërsh, duke shkaktuar shumë polemika.
Në minutën e 90+7’ ishte Latifi, i cili në frymën e fundit mbajti gjallë shpresën e bardhebluve, duke rivendosur baraspeshën, me takimin që shkoi në shtesë, e cila gjithashtu nuk solli fitues.
“Ruleta” e penalltive u buzëqeshi bardhebluve, të cilët fituan me rezultatin 6-5, ku për ta gaboi vetëm Jonuzi, teksa shënuan Latifi, Mici, Përgjoni, Lulaj, Nikqi dhe Haxhiu. Nga ana tjetër, për durrsakët gabuan Kotobelli dhe jazxhi, me Kozin që u kthye në hero.
Kështu Tirana shkon në gjysmëfinalen e Kupës, teksa Teuta tashmë duhet të fokusohet në kampionat, ku vetëm aty mund të shpëtojë sezonin.
REZULTATI:
TIRANA 1-1 TEUTA (6-5 P)
Latifi 90+7′ / Peposhi (P) 28′