Atletja e mirenjohur shkodrane Vera Bregu ka dhene nje interviste per nje blog te nje kolegeje te saj, nje tjeter emer i njohur i ketij sporti, Klodeta Gjini.
Ajo ka folur per te djeshmen dhe te sotmen, per rolin qe ka luajtur atletika tek ajo dhe shume gjera te tjera. Ju ftojme ta lexoni me poshte te plote kete interviste:
1. Vera Bregu dje dhe sot. Sa afër dhe sa larg atletikës ndjehesh sot?
Çdo njeri ka një të djeshme, të pëlqen apo jo ky fakt, realiteti është i tillë. E djeshmja mundet ose jo të të bëj krenare.
Personalisht pata fatin që e djeshmja ime të ishte e lodhshme por sinqerisht tejet e bukur. Asgjë s’më mungoi përsa i perket asaj plotësie shpirtërore.
Përkushtimi maksimal prindëror, në menyrë të veçantë i babait, Ded Bregu (Mjeshter i Madhë i Punës, dekoruar nga Presidenti i Republikës) u bë shkalla morale e sakrificës ku unë eca për të arritur majat.
Nuk kurseu asgjë, as kohën, as mundin që ëndrra dhe talenti im të fluturonin bashkë me shqiponjën për të bërë krenar atdheun tim .
Atletika për mua ishte e bukur sa vetë rinia që gjithkush do ta donte të ishte e përjetshme, por ja qe vjen një ditë që stafetën ja dhurojmë të rinjëve me shpresen e madhe që të kenë po atë vullnet që patëm edhe ne.
Sot jam një bashkëshorte, një nënë e lumtur me dy fëmijë të mrekullushëm dhe plot angazhime. Me jep jetë fakti që pasurin më të madhe që ju lë trashëgimi femijëve është shembulli personal.
2. Atletikes i ke dhënë shumë; dedikim, ore të tëra stervitje, sforcime fizike.Si ndjehesh sot?
Koha kur ushtrova atletikën ishte vërtet e mrekullueshme si në aspektin e vlërsimit tim ashtu edhe nga ajo që mora unë prej saj.
Lodhja dhe sakrifica ishte pjesë e brezit tonë, por ajo që i mundte ato ishte vullneti i hekurt që na shoqëronte, sedra.
Çdo ditë niste normalisht dhe e mendoja të lodhshme deri në rraskapitje , por dëshira e madhe për të ecur përpara ishte e fortë dhe mospërfillse ndaj këtij tipi mendimi.
Herë herë kërkoja të mos mendoja fare. I kam dhuruar shumë kohë dhe mund atletikës, por nuk është e përshkueshme me fjalë kënaqësia dhe krenaria e madhe që ajo më dhuroi.
3. Sporti është i bukur sepse të pasuron jo vetëm me raporte njerezore por mbi të gjitha me një mentalitet që lidhet me mirëmbajtjen dhe shëndetin si në aspektin personal të jashtem dhe të brëndshem. Ç’mund të na thuash për këtë?
Do të doja që të gjithë njerëzit të kuptonin po ashtu siç e kemi kuptuar ne që jemi marrë dhe merremi me sport se sa të zbukuron personalitetin dhe përmirëson cilësinë e jetës.
Njeriu sportin duhet ta konsiderojë si një mik të çmuar, i cili për atë pak kohë që ti i kushton ta shpërblen me një shendet dhe gjendje fizike më të mirë, me një rrjet social që krijon, me një jetë më të pasur me aktivitete, me një kuptim të ri që i jep jetës në organizimin e saj, por edhe me shumë aspekte që lidhen me prodhimin e ormoneve aq të dobishme per organizmin tonë.
4. Kërcimi së gjati është një garë shpejtësie që gërshetohet me forcën shpërthyese. A ka ndikuar në karakter, apo në jetë?
Po ka ndikuar. Nga mosha 12 vjeçare jemi rritur së bashku dhe jemi bërë njësh me njëra- tjetrën.
Atletika më mësoi të mos bëj asgjë ngadalë, por edhe si të kordinoj një shpejtësi e forcë të madhe me një frymëmarrje të shpejt.
Jam e shpejt si atletika, e matur si atletika dhe mendoj që kam bërë kërcimet e duhura në momentet e duhura të jetës.
5. Sot si është raporti jot me sportin në përgjithësi dhe atletikën në veçanti?
Raporti im me sportin është si me ujin e dua, e adhuroj, e ndjej, e ndjek dhe e përjetoj në çdo kohë.
Jam e lumtur që familja ime po lë trashëgimi në sport.