Atletika ka sot disa kokrra që po shkruajnë histori me rezultatet e tyre, sikurse ndodhi ditët e fundit me atleten Luiza Gega që doli kampione e Europës në garën e 3 mijë metrave me pengesa. Edhe Izmir Smajlaj në kërcim së gjati ka dalë kampion i Europës, e mban aktualisht rekordin e kërcimit me 8.16 metra. Ka dhe sportistë të tjerë premtues por janë pak. Në vitet 80-të të shekullit të kaluar atletika regjistroi një masivitet të madh dhe u regjistruan disa prej rezultateve më të larta, e një pjesë vijojnë të jenë ende rekorde të pathyera.
Një rekord 33-vjeçar është dhe ai i Vera Bregut, kampione e kërcimit së gjati dhe trehapëshit. Ajo mban rekordin me 6.53 m, një rezultat që sot duket shumë i lartë dhe i pakapshëm për sportistet tona. Gazeta “SOT”, sjell në këtë numër intervistën me këtë kampione të madhe të atletikës shqiptare, e cila për vite e dekada shërben si shembull i suksesit dhe talentit, rezultateve të larta dhe natyrisht i familjares së përkushtuar. Në këtë intervistë mësojmë për karrierën e Vera Bregut, për emocionet që ka dhënë në garat e atletikës dhe, natyrisht, diçka edhe për familjen e saj.
Kush është Vera Bregu?
Datëlindja: 21-04-1969
Vendlindja: Shkodër
Vendbanimi: Suedi
Shtatlartësia: 172 cm
Disiplina: Kërcim së gjati dhe 3- hapësh
Rezultati: 6.53 m, ndërsa në 3-hapësh 13.50 m (me këtë rezultat në 3-hapësh kapi normën e Olimpiadës në “Atlanta 1996”
Kohëzgjatja e rekordeve: Në kërcimin së gjati 33 vite dhe i 3-hapëshit 26 vite, vijojnë
Arsimi: Instituti i Lartë i Fizkulturës
Vlerësimet: Sportistja më e mirë e shekullit, Medaljen Naim Frashëri(e artë), “Qytetare Nderi” e komunave të Rrethinave (Shkodër), Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës, Mjeshtre e Merituar e Sportit, Mjeshtre e madhe, shpallur disa herë sportistja më e mirë e Shqipërisë
Arritje: 14 medalje ndërkombëtare nga të cilat 4 ari, 6 argjendi, 4 bronzi
– Si ka ndodhur që jeni lidhur me sportin, kush kanë qenë trajnerët e parë?
– Ne rrjedhim nga një familje sportistësh. Babai im, Dedë Bregu, në atë kohë ka qenë marrë me mundje të lirë dhe ai kishte dëshirë të madhe të më bënte sportiste. Babi ka qenë 4 vite kampion dhe sportisti më i mirë i shekullit për peshën e tij. Gjithashtu, 38 vite trajner i mundjes së lirë në Shkodër e për këto arritje është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në klasën e 6-të në orën e fizkulturës kur bënim gara unë shpesh herë dilja e para dhe mësuesja ime e fizkulturës më udhëzoi që të shkoj në stadium dhe të merrem me atletikë. Mësuesja quhej Luke Zefi, një ish atlete rekordmene e kërcimit së larti e atyre viteve. Trajnerja ime e parë ka qenë ish-rekordmenia e kërcimit së gjati, Angjelina Gurakuqi.
– Si ishte ecuria juaj në gara e rezultate para se të vinit tek rekordi?
– Në moshën 15-vjeçare unë kalova me ekipin e të rriturave. Ecuria e rezultateve i kaloi edhe pritshmëritë e mia. Falë trajnerit tim Vildan Tufi kemi bërë një stërvitje intensive dhe me besim të plotë që do të arrinim një rezultat të lartë. Dhe ia arritëm qëllimit.
– Si e mbani mend ditën e rekordit? Çfarë mbresash keni nga ajo ditë? Si është pritur në regjimin e kohës ky rezultat, çfarë mesazhesh dhe vlerësimesh keni marrë pas atij momenti?
– Janë shumë rekorde që kam thyer në karrierën time, por rekordi im i parë ka kujtime më të forta sepse ishte një rrugë e pashkelur për mua, ndonëse kisha rekordin e të rejave me 5.87m. Atëherë ka pasur vlerësim, se kemi qenë më të vlerësuar se të tjerët, por jo nga ana ekonomike. Kemi pasur respektin dhe mirënjohjen e sportdashësve.
– Sa i madh ka qenë rivaliteti në kërcimin së gjati? Cilat kanë qenë rivalet tuaja më të mëdha? Me sa prej tyre ruani ende miqësi?
– Në kohën e monizmit ka patur shumë rivalitet, siç ishin dy atletet shkodrane Arbana Xhani e Leman Rakaj, Makbule Raça, Ermelinda Shehu dhe Alma Qeramixhi. Miqësi ruaj me të gjithë atletet. Falë rrjeteve sociale kemi pasur fatin që të mos e harrojmë miqësinë tonë.
– Pse mendoni se ka mbetur i pathyer rekordi në këtë disiplinë (përpos rezultatit tuaj fenomenal)?
– Kjo pyetje mund t’u adresohej më mirë trajnerëve, të cilët s’po munden të shfrytëzojnë talentet që ka vendi ynë, sepse ne kemi talente. Rekordi im është një rezultat i lartë që në atë kohë hynte në 12-she të botës për moshën 20-vjeçare.
– Si trajtoheshin sportistët kampionë e rekordmenë në atë kohë?
– Ishim pak a shumë të privilegjuar, se mohoj, por nuk kishte shumë mundësi për stërvitje në kushte të mira siç i kanë sot sportistët.
– Meqë po flasim për kushtet, si ishin kushtet infrastrukturore në rininë tuaj, duke i krahasuar disi edhe me kushtet e sotme?
– Kushtet nuk ishin dhe aq të mira, sepse nuk kishe ku të merrje eksperiencë për teknika të reja, për zhvillimin e teknikës së kërcimit për seanca të reja. Siç thashë, edhe terrenet sportive nuk ishin në kushte optimale për të arritur rezultate të larta. Por vullneti dhe egoja sportive ishin në lartësi të madhe, pra ishin në përmasa që sot nuk ekzistojnë.
– Pse, sipas jush, atletika nuk e ka forcën dhe masivitetin e dikurshëm?
– Sepse njerëzit, me sa duket, i janë përkushtuar rrjeteve sociale dhe nuk ka asnjë lloj investimi prej klubeve dhe federatave përkatëse. Si në çdo fushë të jetës kërkohet investim financiar dhe mbështetje institucionale.
– Përshkruajeni me dy fjalë nivelin e kërcimit së gjati dhe të atletikës shqiptare në përgjithësi në ditët e sotme?
– Me thënë të drejtën ka mbetur në nivel të ulët kërcimi i së gjatit, por kam shpresë tek një atlete shkodrane e cila quhet Erisa Rrasa. Por me ikjen nga jeta të trajnerit Vildan Tufi, mund t’i marrin pak kohë stërvitjes që t’i përshtatet me trajnerin tjetër që ka. Niveli i sportisteve nuk është i rritur, përveç tre sportistëve që ka Shqipëria (atletë elitarë), siç janë dy kampionet e Europës, Luiza Gega dhe Izmir Smajli, si dhe Franko Burraj.
– A e ndiqni sportin nga afër, çfarë mendimesh keni në lidhje me rezultatet e atletikës në përgjithësi? Si qëndrojnë ato në raport me rezultatet europiane e botërore?
– Sportin nga afër e ndjek vazhdimisht. Për mendimin tim rezultatet nuk janë dhe aq të larta siç kanë qenë më përpara. Nuk po i afrohen rekordeve, përveç kërcimit me shkop për meshkuj nga suedezi, Dublanti.
– Cilët janë sekretet për të pasur rezultat të lartë në kërcim? A mendoni se punohet mjaftueshëm për të gjetur elementët e duhur nëpër shkolla?
– Sekretet për të pasur rezultate të larta janë vullneti, regjimi dhe talenti, të cilët janë të ndërthurur bashkë dhe që të arrish rezultatet e nivelit të lartë duhet të jenë të ndërthurur bashkë në shkallën më të lartë. Por edhe puna për të zbuluar talente sot nuk është e mjaftueshme.
– Nëse nuk do të kishit ushtruar atletikën, në cilin sport tjetër apo në cilën fushë të jetës do ta gjenit veten? Cilat janë hobet tuaja në përgjithësi?
– Po të mos isha bërë sportiste mund të kisha qenë një këngëtare e mirë. Besoj që e vogël jam marrë me muzikë dhe kisha një zë të ëmbël. Hobet e mija janë palestra, muzika dhe kërcimi.
– Me çfarë merret aktualisht Vera Bregu, cila është familja e saj?
Unë kam dy fëmijë, djalin që quhet Marko, 29 vjeç, si dhe vajza Erika 22 vjeç. Tani për tani bëj palestër dhe kam shpresë për një punë që më përshtatet mua. Unë tani jetoj në Suedi, prej 8 vitesh. Por kam jetuar më parë në Greqi mbi 20 vite.
– A ka pjesëtarë të familjes tuaj që ushtrojnë sport, çfarë konkretisht?
– Kam djalin e motrës, Marcelino Preka, i cili po shkëlqen në futboll. Ai është pjesëmarrës me ekipin kombëtar nga mosha U-15, e me radhë deri në U-21. Djali tjetër i motrës është një volejbollist i spikatur i Vllaznisë.(Marrë nga gazeta SOT)