Xhuliano Skuka vijon të jetë në qendër të merkatos së dimrit. Për sulmuesin e Partizanit është përfolur se ka oferta nga disa klube të Seria A, veçanërisht nga Verona. Janë aluduar shifra të ndryshme, por asnjëherë nuk ka pasur diçka konkrete.
Së fundmi tjetër media ka hedhur dritë për të ardhmen e dibranit. Bëhet fjalë për “hellaslive.it” që raporton se Verona nuk ka bërë asnjë ofertë zyrtare për Skukën.
Kjo media shumë pranë klubit italian raporton se: “Nga sa mësuam, sulmuesi shqiptar Xhuliano Skuka është ndjekur nga stafi i Veronës, por asnjëherë nuk është diskutuar për blerjen e mundshme të tij.
Leçe është interesuar për të dhe në këtë mënyrë Partizani po përpiqet të rrisë çmimin, rreth 1 milionë euro plus 20 përqind të kartonit. Një operacion që klubi i Veronës nuk e ka nisur dhe as nuk do ta niste me kushte të tilla”./newsport/