Nejmar dhe Kilian Mbape janë dy nga futbollistët më të mirë në botë, teksa PSG ka fatin t’i ketë së bashku në një skuadër. Parisienët kanë detyrën për të vazhduar dhe për t’i mbajtur të dy në organikë, duke qenë se tashmë vjen koha që futbollistët të rinovojnë.

Sa i përket brazilianit, kjo çështje duket se është më e lehtë pasi ai tashmë ndihet i lumtur në Paris, duke harruar Barcelonën.

Ndërkohë, për Mbape ka diskutime lidhur me anën financiare, ndërsa për kampionin e Botës mbetet në horizont edhe Real Madrid. Ndërkaq, shumë të lumtur në rast se Nejmar dhe Mbape qëndrojnë, do të ishin edhe shokët e skuadrës. Ka qenë Marko Verrati i cili ka zbuluar se çdo ditë i kërkon Nejmar dhe Mbape të qëndrojnë.

“Unë çdo ditë i kërkoj Nejmar dhe Mbape të qëndrojnë këtu. Mendoj se nuk do të marrë edhe shumë kohë para se ata të arrijnë një marrëveshje të re me klubin, kjo për shkak se ata janë të lumtur. Pastaj, në të vërtetë, unë nuk mendoj se ka një skuadër më të mirë se PSG”, u shpreh Verrati. /VipSport/