Trepikëshi i pasdites së sotme në Korçë, fitorja e dytë rradhazi dhe vendi i parë në renditje, janë treguesit e një Vllaznie të re që po vjen.
Për këtë skuadër kanë folur kohët e fundit dhe po flasin sërish mirë shumëkush. Megjithatë ka ende vend për t’u parë. Ndeshjet e ardhshme do t’i konfirmojnë këto gjëra.
Për fitoren e sotme ndaj Skënderbeut, po flitet me superlativa për sulmuesin Dilaver që vazhdon të shënojë, apo dhe për ekzekutimin e jashtëzakonshëm të Victor da Silvës në rastin e golit të dytë.
Por në fakt kjo ndeshje dhe ky sukses ka edhe një “hero” tjetër. Ai është portieri Bojan Zogoviç. Në dy momente ai ka shpëtuar skuadrën e tij nga pësimi i golave të sigurtë.
Fillimisht në minutën e 26-të kur Rrapaj goditi fort por portieri malazez i kuqebluve reagoi ashtu si duhet duke e grushtuar topin mbi travertë. Rrjedhimisht shpëtoi Vllazninë nga një gol i sigurtë. Të mos harrojmë se rezultati në ato momente ishte 0-0.
Ndërkohë rasti më i rrezikshëm ka qenë ai i minutës së 60-të kur Mara ka dalë vetëm për vetëm me të dhe Zogoviç e ka shpëtuar Vllazninë nga pësimi i një goli që do të rihapte ndeshjen.
Portieri me shumë përvojë nuk dëshiron të marrë lavde, thjesht po bën punën e tij, megjithatë është një siguri e madhe për Vllazninë në prapavijë. Dhe kur porta është e blinduar, padyshim që e gjithë skuadra ndihet mirë./SHKODRA-SPORT.COM/