Mungesat e shumta karakterizojnë pragun e takimit midis Partizanit dhe Vllaznisë, por trajneri i të kuqve, Veselinoviç, thotë se ato janë pjesë e lojës. Përsa i përket pathyeshmërisë së trajnerit të kuqebluve, Brdariç, përballë Partizanit, Veselinoviç thotë se statistikat nuk kanë asnjë rol për ndeshjen e së premtes.
Partizani dhe Vllaznia do të përballen të premten në mbrëmje në një takim ku duhet t’i bëjnë llogaritë jo vetëm me kundërshtarin, por edhe me mungesat e shumta për secilën skuadër. Trajneri i të kuqve, Aleksandar Veselinoviç, në prezantimin e sfidës tha se dëmtimet janë pjesë e futbollit, pa dëshiruar ta komentonte shumë situatën, sidomos atë të kundërshtarit.
“Nuk di ç’të them për këtë situatë, nuk e di se çfarë do të na ofrojë fusha. Di vetëm që çdo trajner i ka këto probleme në vazhdimësi dhe detyrua jonë është të gjejmë zgjidhje për ndeshjen e radhës. Kolegu Brdariç është njeri dhe trajner shumë serioz, unë i respektoj gjithmonë kolegët e mi dhe ndoshta nuk do të ishte korrekte të komentoja situatën e brendshme të Vllaznisë. Ne mendojmë për veten tonë, është ndeshja e fundit e kampionatit për këtë vit dhe ne po përgatitemi për të fituar, jemi të motivuar që ta mbyllim vitin sa më mirë”.
Në dy periudhat e tij si trajner i Vllaznisë, Brdariç nuk ka humbur asnjëherë me Partizanin. Për Veselinoviç kjo nuk ka asnjë rëndësi, ndaj dhe nuk shërben si motiv ekstra për skuadrën e tij.
“Këto janë statistika dhe ato ndonjëherë nuk thonë gjithçka. Sigurisht që Brdariç është një trajner serioz, siç ju thashë, dhe ka bërë punë shumë të mirë te Vllaznia, por statistikat i përkasin historisë dhe nuk kanë lidhje me ndeshjen e radhës, ndaj dhe nuk do t’u kushtojmë shumë rëndësi”.
Përsa i përket serisë prej katër ndeshjesh pa fitore, Veselinoviç e sheh gotën gjysmë plot, duke vënë në dukje se në ato katër ndeshje Partizani ka vetëm një humbje. Megjithatë, nuk e mohon se do të donte t’i kishte fituar të gjitha ato ndeshje, pasi asnjëherë nuk pajtohet me humbjen.
“Nuk kemi fituar në katër ndeshjet e fundit, por edhe humbje kemi vetëm një. Duhen vlerësuar gjithmonë kundërshtarët, duhet pasur respekt për punën e të gjithëve. Sigurisht që do të doja të fitonim. Edhe kur luaj me letra me gruan dua të fitoj dhe nuk më pëlqen asnjëherë kur humbas, por gjithmonë duhet t’i japim meritat edhe kundërshtari”.