Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, duke folur për mediat pas fitores që të kuqtë arritën kundër Bylisit. Ai u shpreh se skuadra ia vështirësoi punën vetes gjatë ndeshjes, por shtoi se është shumë e rëndësishme që në gjashtë ndeshje, që kur ai ka marrë ekipin, nuk kanë humbur asnjë ndeshje.54- vjeçari shton gjithashtu se djemtë duhet ta kenë të qartë se ende nuk janë një ekip i madh dhe se ka ende shumë gjëra për të përmirësuar.

“Për sa kohë unë e udhëheq ekipin, nuk kemi marrë asnjë humbje në gjashtë ndeshje gjithsej. Për këtë ekip, në këtë moshë për pjesën e vetëbesimit dhe mënyrën sesi ndërtohet është shumë e rëndësishme. Por patjetër duhet të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, të mos mendojmë se mbase jemi ekip i madh.

E kam thënë se çdo ndeshje në Superiore është e vështirë dhe e paparashikueshme, por mbase ne ia vështirësuam pak vetes ndeshjen. Ishte e dukshme që në pjesën e parë krijuam 3-4 raste shënimi. Edhe pse ishim më mirë nga organizimi i ndeshjes, nuk arritëm të shënonim në pjesën e parë.

Mbase në pjesën e dytë u bëmë pak nervozë, çka është diçka normale në futboll. Nëse flasim në përgjithësi për një ekip të ri ne, rëndësi kishin tri pikët. I falënderoj lojtarët për paraqitjen dhe kundërshtarin për lojën e zhvilluar! Gjithashtu, i uroj dy Kombëtareve kuqezi sa më shumë suksese në ndeshjet e këtij grumbullimi të radhës.

Është shumë herët të flasim për “Final 4″ që tani sepse jemi në javën e parë të tetorit. Do të flasim në fund të majit nëse do të jemi këtu”- eshte shprehur trajneri aktual i Partizanit Aleksandar Veselinoviç.