Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, ka theksuar se skuadra e tij e kishte merituar fitoren me pjesën e dytë që bëri ndaj Laçit dhe se vetëm pritjet e Dajsinanit kishin shmangur një diferencë më të thellë.

“Para së gjithash duhet të theksoj se është një ditë e vështirë për të gjithë klubin, shpreh ngushëllimet e mia për djaloshin që humbi jetën, jam shumë i mërzitur. Ajo është e para. E dyta, përgëzoj lojtarët për fitoren tonë, i përgëzoj edhe tifozët për përkrahjen që na kanë dhënë. Në pjesën e parë, Laçi na krijoi shumë vështirësi, në dhomat e zhveshjeve bëmë ndryshime taktike në pushim dhe në pjesën e dytë dominuam absolutisht. Shënuam edhe golin, por është e pabesueshme se çfarë priti portieri i Laçit. Nuk ka ndeshje të lehta në kampionatin shqiptar. Dhe që nga tani harrojmë këtë ndeshje dhe përgatitemi për atë që vjen pas kësaj.

Duhet theksuar se Ismaili ka qenë i dëmtuar tre javë, ka bërë vetëm dy stërvitje para ndeshjes, Mehmeti është jashtë, Cara është i dëmtuar, Bintsuka ka bërë vetëm dy stërvitje që kur erdhi nga përfaqësuesja, Domgjon e nisi për herë të parë si titullar. Të gjitha këto ndikojnë që në pjesën e dëmtimit kemi problemet tona, por në fund mendoj se diçka e rregulluam. Kjo është sa i përket kolektivit, ndërsa sa i përket individit, vërtetohet teza ime që çdo lojtar është i rëndësishëm për ekipin. Dhe mbase për atë ekziston edhe pushimi që të rregullohemi dhe u rregullua aspekti taktik dhe ashtu u shfaqëm në fushë.

Harrova edhe situatën e Hadrojt, por nuk është se flas shumë për këtë aspekt. Ajo që thoni ju është hipotetike nëse Laçi shënonte. Por edhe ne në pjesën e parë kishim tre raste ku mungoi vetëm pasimi i fundit. Ne kemi patur probleme në organizimin e lojës, por nëse shkojmë me këtë logjikë, edhe ne kishim situatën 3 kundër 1 me Zekën që mund të ishte ndryshe rezultati. Edhe pse diskutohet vetëm pjesa e parë, në pjesën e dytë ishim absolutisht dominues dhe rezultati duhej të ishte më i thellë. Dua ta theksoj që portieri i Laçit ka qenë mbi nivelin e duhur dhe ka shpëtuar 3-4 gola. Ajo është fakt, ndërsa kjo tjetra është pjesë hipotetike.