Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinovic foli në konferencën për shtyp para ndeshjes me Bylisin që do të luhet nesër në “Arenën e Demave” në orën 19:00, e vlefshme për javën e 8-të të Superiores.


Si është atmosfera në skuadër pas fitores ndaj Egnatias?

Gjithmonë atmosfera është fantastike brenda skuadrës. Sigurisht çdo fitore është një plus për skuadrën, por tani Egnatia ka kaluar dhe duhet të mendojmë për kundërshtarin që do të kemi përballë.


Opinioni juaj për Bylis?

I kam parë të gjitha ndeshjet e tyre, dhe mendoj që kanë zhvilluar ndeshje të mira, janë një skuadër e mirë. E kam thënë që në këtë kampionat nuk ka ndeshje të lehta dhe pres një ndeshje të fortë. Në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, ata kanë luajtur sërisht mirë dhe në shumicën e kohës kanë qenë mjaft mirë të vendosur në fushë dhe për këtë dua ti komplimentoj për lojën e tyre dhe i respektoj. Të gjitha ekipet që përpiqen të luajnë futboll do të kenë mbështetjen time.


Përfshirja e mbrojtësit Andi Hadroj në listën e ekipit përfaqësues?

Hadroj është i vetmi lojtar nga kampionati shqiptar që është pjesë e kësaj liste një informacion të cilin sapo e mësova. Jam mjaft i lumtur për ftesën që ka marrë. Mendoj që Hadroj duhet të jetë krenar që luan me kombëtaren e tij. Ky do të jetë një motivim më shumë për Hadroj dhe në të ardhmen ndoshta mund të kemi më shumë lojtar me përfaqësuesen, do të ishte shumë mirë për të gjithë. Hadroj është një djal i shkëlqyer një lojtar shumë i mirë dhe është shumë i rëndësishëm për ne. Të gjithë në klub jemi shumë të lumtur që ai është pjesë e kësaj liste.


Pauza e kampionatit mund të jetë pozitive për ju?

Eshtë një pyetje e mirë, por për momentin fillimisht duhet të mendojmë për ndeshjen me Bylis. Do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për tu përgatitur për të gjitha situatat në skuadër.


Partizani nuk humbet me Bylis prej 5 vitesh?

Të jem i sinqertë tani po i dëgjoj këto statistika. Gjithmonë jam shprehur se ndeshja e radhës është një histori e re. Eshtë një statistikë e mirë , por në momentin nga nesër që gjyqtari do të sinjalizojë fillimin e takimit mendoj që statistikat nuk janë më të rëndësishme.


Gjendja e skuadrës, veçanërisht Buxhelaj?

Sot do të zhvillojmë edhe seancën e fundit. Buxhelaj ndjehet mjaft mirë. Nga sa kam mësuar Buxhelaj nuk është grumbulluar nga ekipi përfaqësues U-21 pasi është i skualifikuar. Dua të theksoj edhe faktin që ndeshja që zhvilluam ndaj Egnatias u luajt në një terren të shkëlqyer. Një terren me bar natyral , ndërkohë që ne punojmë në një terren me bar artificial. Duhet të më besoni që është një problem i madh për lojtarët. Cdo herë që ne ndryshojmë terren nga natyral në artificial është problem për lojtarët dhe kjo është normale. Duhet të jem i kujdesshëm në përgjigjet që jap për sa i përket gjendjes së lojtarëve. Por jam i bindur se edhe trajnerët e tjerë si unë kanë të njëjtat probleme.

Cila është situata e Zguros, do të jetë pjesë e skuadrës?

Mendoj se më mirë kjo është një pyetje që i përket drejtuesve , klubit. Ata mund të japin përgjigjen e duhur rreth tij, por duhet të shohim.

Një pjesë e lojtarëve të afruar gjatë verës nuk janë aktivizuar aq sa pritej, Kur do të vij mundësia e tyre?

Kjo varet nga situatat. Disa prej tyre janë të dëmtuar, disa të tjerë luajnë , për disa prej tyre kemi shumë zgjedhje përsa i përket pozicioneve. Ju mund ta shikoni në çdo ndeshje që vjen ka emra të rinj në fushë. Eshtë normale kjo situatë për mua , për stafin për të gjithë. Të gjithë lojtarët duhet të jenë të sigurtë, pasi unë mendoj për të gjithë dhe secili është shumë i rëndësishëm.

Kampionati është i gjatë do të ketë dëmtime, skualifikime dhe normalisht duhet të mendojmë për të gjitha këto situata. Më duhet të zgjedh të aktivizoj vetëm 11 lojtarë, do të isha i lumtur nëse do të mund të aktiviziopa 20 por mundem të zgjedh vetëm 11. Do të përpiqemi që përgjatë ndërprerjes së kampionatit të organizojmë 1 ose 2 ndeshje miqësore të cilat do ti shërbejnë shumë atyre lojtarëve që kanë kaluar dëmtime, atyre që janë të rinj dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme dhe shumë e mirë për të gjithë.


Afrimi më i fundit David Domgjoni?

Mendoj se të gjithë ju këtu në Shqipëri e njhini më mirë Domgjonin, karrierën e tij ku është aktiviziuar në disa klube serioze në Turqi dhe Kazakistan. Gjendja e tij fizike është fantastike. Nuk ka luajtur nga muaji qershor , por ai po më tregon mua çdo ditë që është një djal dhe lojtar shumë serioz dhe profesionist dhe jam i bindur që do të na ndihmojë. Ai po tregon çdo ditë dhe në mjaft situata që është një person profesionist .