Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, theksoi se barazimi ndaj Vllaznisë sipas tij ishte pozitiv. Ai shtoi se kampionati është shumë i ekuilibruar, ndërsa ekipi tregoi forcë karakteri me reagimin pas disavantazhit.
“Duhet të them se si pas ndeshjes me Elbasanin, ka qenë një festë futbolli me atmosferë të mrekullueshme. Kemi luajtur kundër një ekipi të mrekullueshëm dhe përgëzoj kolegun Brdariç që ka bërë një punë të shkëlqyer. Por gjithashtu dua të falënderoj çunat që pjesën më të madhe e luajtën siç duhet dhe treguan karakter futbolli. Normalisht që ka pak gjëra të këqija që do i analizojmë, por ajo do të mbetet brenda nesh. Falënderojmë tifozët për mbështetjen, të marrësh pikë në Shkodër është punë e madhe.
Goditjet standarte? Kjo është pjesa që mbetet brenda dhomave të zhveshjeve dhe do mundohemi ta përmirësojmë por do të ishte jokorrekte të thosha që Vllaznia është jocilësore në këto situata
Deri në minutën e 30 ekipi u përgjigj në çdo gjë që kishim përgatitur, nuk jam i kënaqur në 15 minutat e fundit të pjesës së parë dhe ndoshta 15 minutat e fillimit të së dytës. Por ajo që është e rëndësishme është që të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Në një moment vuajtje të ekipit tonë, çdo lojtar që u fut rriti performancën e ekipit, deri në fund luajtëm me karakter dhe është pjesa që më gëzon. Por duhet të mendojmë arsyen se pse këto pjesë të shkëputjes apo uljes së performancës. Normalisht që nuk kemi qenë vetëm ne në fushë dhe e përsërit që kampionati shqiptar është shumë u balancuar për cilësinë dhe duhet të tregojmë respekt ndaj kundërshtarit.
Mendoj se është herët për të folur për vendin e parë se jemi ende në tetor. Kartonët e verdhë? Nëse më lejoni, është fenomen në kampionatin shqiptar që shumica e lojtarëve marrin kartonë për shkak të kontestimeve dhe bisedimeve, flas edhe për ekipin tonë dhe nuk është gjë e mirë. Nuk është pjesa e nervozizmit, sa e dëshirës dhe motivimit për të marrë rezultat pozitiv. Sepse punoj me çuna që janë gjithmonë të motivuar dhe mrekullueshëm por ndonjëherë kemi probleme mes pjesës së motivimit dhe disiplinës taktike. Sa i përket Hadrojt, nuk ka luajtur se ka qenë me kombëtaren dhe se ka një problem dëmtimi, Ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të ndihmuar ekipin, dëshira ishte e madhe edhe për të luajtur. Të jemi të sinqertë para ndeshjes e tentuam ta shihnim, se insistoi edhe ai. Nuk është se justifikoj kartonin e verdhë por nga ana tjetër kuptoj pjesën e lidershipit që ka dhe dëshirës për të ndihmuar ekipin. Por të jem shumë i qartë, se si një trajner profesionist, nuk mund të arsyetoj askënd për marrjen e kartonëve pa asnjë arsye.
Nesër kemi stërvitje dhe të mërkurën luajmë me Skënderbeun, mbi të gjitha duhet të shohim tablonë e plotë si është situata ne ekip. Pastaj është pjesa që duhet të marrim parasysh cilësitë e kundërshtarit. Do i vëmë të gjitha në një ekuilibër dhe do të marrim vendim si do të luajë Partizani. Por gjithmonë e kam thënë që nuk jam trajner që kërkon alibi, kush mundet, do të jetë i rëndësishëm për ekipin. Ajo që jam i sigurt pas dy muajve me këto djem të mrekullueshëm, është që çdokush që do luajë është maksimalisht i motivuar dhe do të japë maksimumin e tij”, tha Veselinoviç për RTSH pas ndeshjes.