Vllaznia do ndeshet me ekipin e Partizanit në javën e tretë të kampionatit. Ndeshja do luhet në orën 18:00 të ditës së enjte në stadiumin “Loro Boriçi”. Një takim që pritet me kuriozitet, kjo për të parë edhe forcën reale të kuqebluve. Ku përballë do jenë kampionët e vendit në fuqi dhe një nga skuadrat pretendente këtë sezon.
Megjithatë statistikat e të kuqve në ndeshjet në Shkodër nuk janë pozitive në vitet e fundit. Kështu Partizani ka fituar në “Loro Boriçi” vetëm një herë në 4 vitet e fundit. Ku duhet theksuar se përballjet kanë qenë të shumta duke pasur parasysh edhe ndeshjet e kupës. Të kuqtë kanë triumfuar në Shkodër në datën 7.10.2022.
Pra para një viti ku në javën e shtatë të sezonit të shkuar përmbysnin avantazhin e Vllaznisë që kishte shënuar me Hoxhajn. Por golat e Da Silvas dhe Skukes do bënin të pavlefshëm atë të vlonjatit. Dhe në fund shifrat do ishin 1-2 për “demat”. Por në takimet e tjera parardhëse dhe pasardhëse, Partizani nuk ka triumfuar në Shkodër.
Mes dy ekipeve numërohen 4 barazime dhe 4 fitore të Vllaznisë. Deri në vitin 2019, ku do ishin të kuqtë që fitonin në Shkodër në shifrat 1-3.
Pra një statistikë pozitive kjo e shkodranëve ndaj Partizanit. Që patjetër nuk do të thotë asgjë në fushën e lojës sepse të enjten shkruhet një tjetër faqe e historisë mes dy prej skuadrave më kryesore në vend.
Endri ÇINARI