Zhoze Murinjo ka qëndruar i papunë vetëm për 10 ditë. Trajneri portugez, i shkarkuar nga Totenhemi pak ditë më parë, nuk do të kalojë muaj të tërë në kërkim të një pune për të bërë, pasi siç ka pranuar vetë nuk ka nevojë për vite pushimi siç bëjnë trajnerë të tjerë. Por për momentin, duhet të kënaqet me profesion që nuk ka lidhej me stërvitjen apo drejtimin nga pankina të një ndeshje.

E përditshmja britanike “The Sun” ka bërë të ditur se gjatë Kampionatit Europian të kësaj vere, Zhoze Murinjo do të jetë editorialist i përditshëm, duke komentuar rezultatet e ndeshjeve, por edhe pritshmërinë për takimet në vijim.

Një mënyrë shumë origjinale për të mbetur në kontakt me tifozët anglezë, pasi raportohet prej kohësh që dëshira e tij është të vazhdojë të drejtojë në këtë vend, edhe pse opsionet për të janë ngushtuar ndjeshëm.

Murinjo ka qenë shpesh një i ftuar nderi në televizione apo studio të rëndësishme për Europianët e Botërorët në vitet e kaluara, duke bashkëpunuar edhe me Yahoo. Por tashmë ai do të ketë mundësinë që për një muaj, nëpërmjet analizës së tij, por edhe ironisë që nuk i mungon, të argëtojë tifozët anglezë në tabloidin britanik. /vipsport/