Elton Fikaj është djaloshi 17-vjeçar që është grumbulluar nga ekipi i parë i Panathinaikos. Futbollisti me origjinë nga Shkodra do jetë pjesë e përgatitjeve verore me skuadrën bardhejeshile.
Duke shpresuar pse jo të ketë edhe aktivizimin e tij si profesionist me fillimin e edicionit të ri. Për “Shkodra Sport” ai shprehet i emocionuar për këtë gjë. Duke theksuar se ende ka punë përpara për të bërë.
Fikaj tha: “Jam me të vërtetë i gëzuar që jam pjesë e përgatitjeve me ekipin e parë. Kjo është skuadra ku unë jam rritur dhe zhvilluar si futbollist dhe mund të them se është një ëndërr e bërë realitet. Megjithatë ende ka shumë punë përpara dhe do përpiqem që të bindë për aftësitë e mia.
Ëndrrat ? Të debutoj me Panathinakos fillimisht, pastaj gjërat vijnë dalëngadalë. Po ashtu kombëtarja e Shqipërisë është një ëndërr më vete. Unë jam pjesë e kombëtareve të moshave që nga u-15 e deri tek ajo aktualja ku jam sot u-19. Shpresoj një ditë të jem pjesë e skuadrës A, ku çdo futbollist e ëndërron diçka të tillë”.
Kujtojmë që Elton Fikaj është një mbrojtës i majtë, por që është aktivizuar edhe si qendër mbrojtës. Me ditëlindjen e 18.10.2005, ai tashmë ka shansin të tregojë vlerat e tij tek skuadra njohur greke e Panathinakos. Ku gjatë fazës përgatitore është ftuar për të qenë pjesë e skuadrës së parë.
Endri ÇINARI