Sot mbush 23 vjeç megjithatë duket se ka vite të tëra që luan për Vllazninë. E kemi fjalën për Ardit Krymin, futbollistin e vëtëm në gjithë këto vitet e fundit që hyri vetëm 18 vjeç në formacionin kuqeblu pesë vjet më parë dhe që atëherë nuk ka dalë më prej aty.

Mesfushori është shndërruar në një lider të kësaj skuadre dhe mungesa e tij në ndonjë takim për arsye kartonash apo dëmtimi (ndonëse këto të fundit shumë të pakta) ndikon drejtëpërdrejtë në lojën e Vllaznisë duke e shndërruar këtë futbollist në një element shumë të rëndësishëm të kësaj skuadre.

Jo më kot është “graduar” zëvendëskapiten i Vllaznisë dhe kur mungon Lika, është ai që mban shiritin ndonëse i ri në moshë por me shumë personalitet brenda skuadrës, shumë i dashur dhe shumë i respektuar nga të gjithë.

Krymi mbush sot 23 vjeç dhe “mbi shpinë” ka mbi 100 e sa ndeshje, duke e bërë atë një nga lojtarët më me shumë aktivizim gjithë këto vitet e fundit me Vllazninë. Ai është shndërruar në një pikë referimi të kësaj skuadre dhe jo më kot drejtuesit e saj e kanë mbajtur “me zor” sepse prej 2-3 sezonesh, Partizani, Tirana apo Skënderbeu kanë tentuar ta bëjnë pronë të tyre por shkodranë nuk e kanë lejuar një gjë të tillë.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura në jetën e tij dhe padyshim edhe një karrierë sa më të suksesshme duke shpresuar që ai të udhëheqë shumë shpejt Vllazninë drejt rezultateve të larta.

Statistika Ardit Krymi:

2008-2014 Akademia Vllaznia

2014-2015 KF VLLAZNIA 22 ndeshje- 0 gola

2015-2016 KF VLLAZNIA 24 ndeshje- 1 gol

2016-2017 KF VLLAZNIA 29 ndeshje- 0 gola

2017-2018 KF VLLAZNIA 28 ndeshje- 0 gola

2018-2019 KF VLLAZNIA 22 ndeshje- 3 gola
© shkodrasport.com