Pas dy ditësh pushim të akorduara nga drejtuesit, ekipi i Vllaznisë ka nisur dje stërvitjen e parë për takimin me Laçin, i cili do të zhvillohet nesër, në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në këtë stërvitje të parë tekniku ka pasur të gatshëm që të gjithë lojtarët e tij.

Pavarësisht se është stërvitur me ekipin për këtë takim, trajneri Brdariç nuk do të ketë të gatshëm vetëm mesfushorin Ardit Krymi, i cili do të vuajë pezullimin nga kartoni i kuq që mori ndaj Partizanit.

Në këto kushte, Krymi është mungesa e vetme, por që kërkohet të zëvendësohet nga stafi për sfidën me kurbinasit. Skuadra do të zhvilloj edhe një seancë ditën e sotme, ndërsa do të jetë e grumbulluar menjëherë pas përfundimit të përgatitjeve për Laçin.

Një javë para mbylljes së fazës së dytë, Vllaznia është në rrugën e duhur drejt objektivit madhor, kjo për disa arsye. Me një grup mesatar lojtarësh në nisje, që tanimë janë lojtarë të konfirmuar për vlerat që kanë. Vllaznia është “e frikshme” për vetë diferencën që ka nga ndjekësit. Ky grup lojtarësh tani ka mentalitetin e kryesuesit dhe qetësinë që të ofron distanca e krijuar.

Vllaznia nuk është vetëm një nga skuadrat e rrezikshme për titullin, por tani është pretendentja kryesore për ta fituar atë. Kjo, për faktin se as në përballje me rivalët direkt nuk po mposhtet. Pozitiv është edhe fakti se atmosfera pranë ekipit është shumë pozitive, si dhe drejtuesit po amortizojnë presionin ndaj lojtarëve. Madje, edhe duke i motivuar me premio.