Garat e kampionatit kombëtar të peshëngritjes për të rritur nuk kanë dhuruar rezultatet e duhura për shtangistët shkodranë. Ndonëse fillimisht objektivi i këtij ekipi ka qenë shpallja kampion, kjo nuk ka ndodhur. Arsyeja është se ekipi nuk ka udhëtuar i plotë drejt Tiranës e për këtë nuk dihet arsyeja e vërtetë pse ka ndodhur kështu. Tek disa sportistë të tjerë, nuk është marrë më e mira e mundshme. Për t’u përmendur është dëmtimi i Erkand Qerimajt. Ai ka konkurruar në peshën e tij 77 kilogramë dhe pritej një rivalitet me nënkampionin e Europës Daniel Godelli.
Por peshëngritësi shkodran është detyruar ta ndërpresë garën që në provën e dytë për shkak të një dëmtimi në bërryl megjithatë nuk duket ndonjë dëmtim shqetësues për të penalizuar pjesmarrjen e tij në Kampionatin Botëror të muajit të ardhshëm. Nuk janë paraqitur në nivelin e duhur as sportistët e tjerë si Gridi Jahja e Marjan Bregu teksa asnjëri prej tyre nuk ka zënë vendin e parë në peshat respektive. Ajo çfarë duhet evidentuar nga ky kampionat, është shpallja kampion e peshëngritësit të talentuar shkodran Emanul Lushi. 17 vjeçari ka konkurruar në peshën 62 kilogramë duke sfiduar të gjithë kundërshtarët e tij dhe duke merituar vendin e parë. Në këtë mënyrë karriera e këtij sportisti vazhdon të ndjekë hapa të rëndësishëm teksa pas vendit të tretë në Europianin e kësaj moshe, tashmë është edhe kampion Shqipërie me të rriturit duke treguar per talentin e tij dhe punen e mire qe ben nen drejtimin e trajnerit Muhamet Tuzi. Pavarësisht suksesit të Lushit, paraqitja e ekipit të Vllaznisë në këtë kampionat me siguri që do të analizohet nga ana e drejtuesve të klubit sepse është e pashpjegushme mosmarrja pjesë e plotë e ekipit në aktivitetin më të rëndësishëm kombëtar.
© shkodrasport.com