Vllaznia nis sot zyrtarisht javën “anti Valur”. Shkodranët do ndeshen me islandezët në kuadër të turit të parë eleminator për Conference League. Në fakt për të qenë më të saktë, kuqeblutë këtë javë do zhvillojnë vetëm 2 seanca stërvitore në Shkodër. Sepse nesër do nisen drejt ishullit të largët në skajin më verior të Europës.
Ku ekipi i Brdariç po ashtu do zhvillojë një tjetër seancë stëvitore në tokën islandeze. Kjo para zhvillimit të ndeshjes ditën e enjte, në orën 21:00. Atmosfera duket goxha pozitive në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit. Ku edhe faza përgatitore e zhvilluar në Bosnje, duket se ka sjellë në formën e duhur fizike të gjithë futbollistët.
Po ashtu tek shkodranët nuk ka të lënduar, përveç Ildi Grudes. Ku sulmuesin e ka shoqëruar një shqetësim që nga fundi i sezonit të shkuar. Dhe duket e sigurt mungesa e tij në duelin dysh kundër Valur. Nga futbollistët e tjerë askush nuk ka shfaqur probleme dhe të gjithë do jenë nën urdhërat e Thomas Brdaric dhe stafit të tij.
Fakt ky që patjetër “ngroh” trajnerin gjerman, që do ketë në dispozicion gjithë lojtarët. E cila shton mundësitë e tij për zgjedhje dhe po ashtu për taktika të ndryshme loje. Optimizmi duket në doza të larta tek shkodranët, që patjetër vlerësojnë në maksimum edhe kundërshtarët. Të cilët nga ana e tyre janë në aktivitet të plotë në kampionatin e tyre, ku pas 14 javësh ndodhen në vendin e dytë në kampionatin islandez.
Endri ÇINARI