Veteranët e mundjes janë mbledhur sëbashku për të takuar njëri- tjetrin por edhe për kujtuar historitë e ndeshjeve të shumta që kanë zhvilluar vite më parë. Për të kujtuar kohën e kaluar sëbashku. Ideja e veteranit të njohur Tonin Dema, ka gjetur miratimin e shumë pjestarëve të këtij sporti në vite dhe prandaj ata janë mbledhur pasditen e së enjtes. Secili prej tyre është çmallur me shokë dhe kolegë të cilët ndoshta kishin vite pa u parë dhe kjo ishte mbi të gjitha qëllimi kryesor I këtij takimi. Disa prej pjestarëve të këtij sporti, janë shprehur të emocionuar para mikrofonëve.
“Të jesh sërish sëbashku pas shumë e shumë vitesh, sigurisht që po na krijon emocione. Këtu ka kampion të mëdhenj. Ata janë pjesë e një sporti që ka nxjerrë edhe kampionë bote e Europe. Ka nxjerrë kampionë dhe emra të mëdhenj dhe kuptohet që inisiativa për t’u mbledhur, rezultoi shumë e suksesshme sepse kemi se çfarë të kujtojmë. Ky sport duhet të jetë edhe në vëmendjen e drejtuesve të klubit Vllaznia për ta rikthyer edhe njëherë tjetër në nivele të larta”- ka thënë Mjeshtri i Merituar i Sportit Tonin Dema. I emocionuar është shfaqur edhe ish- kampioni dhe trajneri i mundjes Isa Vejuka i cili ka thënë: “Ne jemi në moshë tashmë dhe mbase mblidhemi edhe për herë të fundit por krijon shumë emocione ky takim. Sporti i mundjes ka qenë një sport që ka krenuar klubin Vllaznia dhe Shkodrën, si tek mundja e lirë dhe tek mundja klasike. Na mungojnë disa emra të tjerë të njohur të këtij sporti të cilët ndoshta e kishin të pamundur ardhjen sonte por gjithsesi ia vlejti ky takim”- ka thënë ai.I ftuar ndërkohë ka qenë edhe drejtori I klubit shumësportësh Vllaznia Mark kroqi, I cili ka folur me nostalgji për këto figura të njohura të këtij sporti të cilat ishin të pranishme si Eljaz Guri, Gjovalin Çuni, Tonin Dema, Isa Vejuka, Hamza Çela e shumë e shumë të tjerë. Takimi I veteranëve të mundjes është bërë vetëm pak ditë para se të festohet 95 vjetori I klubit Vllaznia dhe mbase duhet të jetë një nxitje për organizime edhe të sporteve të tjera sepse vetëm kështu mund të kujtohet më mirë e shkuara, ajo që I ka dhënë këtë emër të madh klubit shkodran.
© shkodrasport.com