Sapo është mbyllur aktiviteti dhe veteranët e Vllaznisë së viteve ’80- ’90, kanë arritur të fitojnë Kupën “Pavarësia” të organizuar pasditen e sotme në qytetin e Vlorës. Heroi i këtij suksesi është padyshim portieri Avenir Dani që ka arritur të presë penalltitë në dy ndeshjet e zhvilluara dhe për rrjedhojë, Vllaznia ka merituar kupën e vënë nga organizatorët. Në këtë aktivitet shumë të bukur të organizuar pasditen e sotme,kanë marrë pjesë 4 ekipe: Veteranët e Tiranës, të Vllaznisë, Flamurtarit dhe Prishtinës. Sipas shortit të hedhur, Tirana është ndeshur me Prishtinën dhe kjo e fundit ka fituar me penallti pasi koha e rregullt është mbyllur në barazim 0-0. Më pas ka qenë ndeshja e dytë, ajo në mes veteranëve të Vllaznisë dhe atyre të Flamurtarit të Vlorës. Barazim në kohën e rregullt dhe më pas, në gjuajtjen e 11-metërshave ka spikatur portieri shkodran Dani që ka pritur dy 11-metërsha të gjuajtur nga veteranët vlonjatë ndërkohë që për Vllazninë e ka humbur Hysen Zmijani teksa topi është përplasur në traversë. Pas kësaj ndeshje, është zhvilluar finalja në mes Vllaznisë dhe Prishtinës. Koha e rregullt ka përfunduar në barazim 1-1 dhe sërish është dasur gjuajtja e 11-metërshave për të përcaktuar fituesin. Sërish protagonist është Avenir Dani që pret edhe dy të tjera dhe në këtë mënyrë i ka dhënë kupën ekipit shkodran. Në përbërje të ekipit të veteranëve të Vllaznisë kanë qenë figura të shquara të saj si Ferid Borshi, Selman Gruda, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Hysen Dedja, Avenir Dani, Kujtim Shaba, Muharrem Shkreli, Suad Lici, Ilir Dibra, Altin Xhahysa, Entri Çaku, Alban Volumi etj.
www.shkodrasport.com