Elvin Beqiri dhe Amarildo Belisha kërkojnë që ekipi të mos gabojë në takimin e kësaj fundjave me Laçin. Për ta, skuadra i ka të gjitha mundësitë që të marrë një rezultat pozitiv në këtë përballje. “Tani na duhet të marrim vetëm rezultate pozitive. Nuk ka vlerë nëse luan mirë dhe nuk arrihet të merret maksimumi. Tani na duhen pikët maksimale në çdo takim, pavarësisht fushës se ku luajmë. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë të pamundurën për ta nxjerrë skuadrën nga kjo krizë, në të cilën gjendet”, është shprehur thuajse njëzëri dyshja Beqiri-Belisha. Beqiri – Për mbrojtësin Beqiri, e reja që ka sjellë tekniku Haxhiosmanoviç është besimi dhe optimizmi se kjo situatë mund të kalojë me sukses. “Tekniku Haxhiosmanoviç ka sjellë një frymë besimi dhe optimizmi në skuadër. Ai është një person që ne e njohim mirë për karakterin e fortë që ka. ‘Deda’ ka sjellë një frymë të re në skuadër dhe kjo është ndier mjaft në seancën e parë. Shpresojmë që atë optimizëm që ai përcjell, ne ta vëmë në jetë në takimin me Laçin. Unë e shoh si një përballje tepër të vështirë atë që kemi me bardhezinjtë. Por do të japim maksimumin në fushën e lojës dhe të shpresojmë se do të mund t’ia dalim, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë.”
Belisha – Kapiteni në pjesën më të madhe të këtij sezoni, Amarildo Belisha, ka shprehur optimizmin se Vllaznia mund t’ia dalë falë ndryshimeve të reja. “Ne po punojmë shumë për këtë përballje. Kemi vlerësuar në maksimumin Laçin. Ne gjithnjë kemi hasur vështirësi në këtë fushë, pavarësisht se skuadra ka treguar vlerat më të mira. Megjithatë, kjo nuk më tremb aspak, pasi jam i bindur se ne kemi forca për të marrë më të mirën në këtë përballje. Tekniku i sapoardhur ka futur një frymë optimizmi në skuadër, shpresoj që kjo të vlejë për mirë për ne. Tashmë na duhet të japim maksimumin, në mënyrë që ta kalojmë me sukses këtë periudhë. Për ne nuk ka më takime të lehta. Përballja me Laçin është një nga më të vështirat”.
Admir URUÇI