Më 11 maj 2019, mbrojtësi lushnjar i Shkumbinit, Viktor Gjyla mbush 37 vjeç. Pavarësisht moshës, ai ende ndjehet energjik dhe i gatshëm të japë kontribut për skuadrën. Në deklaratën e tij për SportEkspres.com, lushnjari deklaron se me këtë nivel që ka futbolli ynë, ai mund të luajë edhe në Superiore.

“Nuk mendoj se mosha behët pengesë me këtë nivel që ka futbolli në vendin tonë. Unë ndjehem ende i fuqishëm, madje po ju them se edhe në Kategorinë Superiore jam i gatshëm të luaj. Do jem ende në fushë dhe me Shkumbinin shpresoj që të kemi sukses në këtë fund kampionati, edhe pse situata aktuale na zhvendos në Play-off me ekipin e Kategorisë së Parë”,  deklaroi Gjyla.

Ndeshja e radhës për Shkumbinin luhet në transfertë  me Albpetrolin dhe veterani i peqinasve deklaron: “Albpetroli ka bërë ngjitje të madhe gjatë fazës së dytë dhe do jetë e vështirë që të ndalet në fushën e tij. Gjithsesi ne do guxojmë që të marrim tri pikët. Kjo është ndeshja e fundit për ne në këtë kampionat, pasi në javën e fundit marrim tri pikët e Termit në tavolinë. Po përgatitemi edhe për ndeshjen shtesë me skuadrën e Kategorisë së Parë”.