Vllaznia mori një barazim 0-0 ndaj Partizanit ditën e djeshme, në supersfidën e parë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Shkodranët kanë pretendimet e tyre për një gol të anulluar. Kështu, bëhet fjalë për një moment kur gjatë krosimit në zonë, Aralica godet topin me kokë, me gjyqtarin Olsid Ferataj që vijon lojën. Gjithsesi, VAR ndërhyn dhe anullohet goli.

Në fakt, që nga fillimi i kampionatit episodet që kanë penalizuar ekipin shkodran kanë qenë të shumta. “Shkodra Sport” ka bërë një përmbledhje të rasteve, kur gjyqtarët kanë gabuar në disfavor të Vllaznisë, ç’ka i kanë shkaktuar atyre edhe shumë pikë të lëna rrugës.

Java e 3-të – Partizani-Vllaznia 1-1

Në minutën e 37-të të kësaj ndeshjeje, kemi një pasim të gabuar mbrapa nga Mala i Partizanit, Da Silva niset drejt portës, por Hoxha tregohet vendimtar me një dalje duke i hequr topin. Nga pamjet filmike del se portieri ka shkaktuar faull te ndërhyrja dhe nëse do të merrej në konsideratë nga gjyqtari, Hoxha e meritonte kartonin e kuq, duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë. Gjyqtar kryesor në këtë ndeshje ishte Andi Koçi.

Java e 5-të – Vllaznia-Dinamo 6-3

Në minutën e 72-të, Skuka shënon golin e tretë, por ka dyshime se aksioni nisi pas një faulli të sulmuesit ndaj Heriçit në mesfushë. Gjyqtari Kridens Meta nuk e akordoi dhe vijoi lojën, teksa edhe pas vëzhgimit të pamjeve filmike, duket se ka gabuar në vendimin e tij.

Java e 7-të – Vllaznia-Tirana 0-2

Në minutën e 14-të, në këtë ndeshje, për habinë e të gjithëve VAR nuk ndërhyri në një penallti neto për shkodranët. Në sfidën mes Vllaznisë dhe Tiranës, ku gjyqtar kryesor ishte Juxhin Xhaja, ndërsa në VAR, Enea Jorgji dhe Dojando Myftari, rasti më flagrant ishte në këtë minutë. Latifi futet në zonë dhe afër vijës fundore pengohet nga Behiratche në momentin që godet topin. Faull brutal dhe që duhet të shoqërohej me 11-metërsh për Vllazninë, në një kohë që rezultati në atë moment ishte 0-0.

Megjithatë, as Xhaja në fushë dhe as Jorgji në dhomën e VAR nuk ndërhyjnë për të dhënë penallti për kuqeblutë. Gabim i pafalshëm nga e gjithë trupa gjykuese. Në minutën e 15-të, ndërkohë kemi një aktrim nga portieri Bekaj, i cili provokon Aralicën dhe më pas kërkon me një rrëzim në tokë, një karton të kuq për sulmuesin kroat të Vllaznisë, por në këtë moment gabon edhe gjyqtari i takimit Xhaja, ndëshkon vetëm Aralicën me karton të verdhë. Xhaja duhet të kishte bërë të njëjtën gjë edhe me portierin Bekaj.

Java e 9-të – Vllaznia-Kastrioti 3-1

Në minutën e 9-të të kësaj ndeshjeje, Latifi depërton në zonë dhe shtyhet nga Greca, i cili vjen nga mbrapa. Gjyqtari Erjon Bastari nuk akordon penallti edhe pasi konsultohet me VAR. Rast shumë i dyshimtë, megjithatë duhej akorduar penallti për Vllazninë.

Java e 10-të – Vllaznia-Laçi 1-0

Kjo ndeshje u gjykua nga gjyqtari Adrian Beqiraj dhe ndihmës të tij ishin anësorët Dojando Myftari dhe Erind Burgu. Në fund të pjesës së parë, Juljan Shehu bën një ndërhyrje të gabuar dhe gjyqtari Beqiraj i kursen të verdhën lojtarit të Laçit duke akorduar goditje dënimi për Vllazninë në kufijtë e zonës kurbinase. Gjyqtari Beqiraj, jo vetëm që fali Shehun nga kartoni, por nuk la as të gjuhej goditja e dënimit, në pozicion të favorshëm për shkodranët, me pretekstin se kishte përfunduar edhe shtesa e dhënë për pjesën e parë.

Java e 11-të – Teuta-Vllaznia 1-1

Në minutën e 43-të në këtë ndeshje, Jackson, gjatë një dyluftimi ajror me Gurishtën, godet me dorë kapitenin e Vllaznisë në fytyrë. Gjyqtari Laver Alla akordon goditje dënimi për Vllazninë, por Jackson e fal, pasi meritonte të dilte me karton të kuq, pasi ishte ndëshkuar më herët me një të verdhë. Në këtë rast, mund të ishte edhe i kuq direkt, por minimalja ishte karton i verdhë, që do të ishte i dyti për mbrojtësin e Teutës.

Java e 13-të – Vllaznia-Skënderbeu 2-0

Në minutën e 25-të, Zguro shkel Krujën, por gjyqtari Erjon Bastari e fal. Dy minuta më vonë kërcënon me duar Da Silvën pas një ndërhyrjeje të këtij të fundit. Nëse do të ndëshkohej më parë, atëherë do të merrte të kuq.

Java e 14-të – Dinamo-Vllaznia 0-0

Kjo ndeshje u gjykua nga gjyqtari me stemën e FIFA, Eldorjan Hamiti. Në minutën e 42-të, mbrojtësi malazez i Dinamos, Sofranac, bëri një ndërhyrje të rëndë me takën e ngritur ndaj Aralicës. Gjyqtari Hamiti i jep vetëm të verdhë Sofranac, ndërsa ishte në limitin e të kuqit.

Java e 17-të – Vllaznia-Egnatia 1-1

Orlando Kuka ishte kryesor në këtë ndeshje, ndërsa Eldorjan Hamiti dhe Dojando Myftari ishin në dhomën VAR. Kështu, në fund Vllaznisë iu mohua një penallti. Në minutën e 93-të, Çoba në tentativë për të goditur topin në zonë me një gjysmëkthesë, bie në fushë. Shkak u bë tërheqja nga bluza që i bëri mbrojtësi Kacbufi. Gjyqtari Kuka vazhdoi lojën, por e habitshme është se rasti nuk u shqyrtua as nga VAR, që minimumi duhet të thërriste gjyqtarin kryesor Kuka që të shikonte rastin në monitor. Pamjet tregojnë qartë tërheqjen me dorë të bluzës së Çobës nga Kacbufi. Vendim i gabuar dhe penallti e mohuar për Vllazninë.

Java e 19-të – Laçi-Vllaznia 1-0

Në këtë ndeshje është një gol i anulluar me të padrejtë për Vllazninë. Në minutën e 26-të, Fahrudin Gjurgjeviç gjen rrugën e rrjetës, por goli nuk vlen. Sulmuesi maqedonas përfiton nga gabimi i Malotës, shmang portierin Dajsinani dhe e dërgon topin në rrjetë, por pas konsultimit me VAR, gjyqtari Hamiti sinjalizon prekje të topit me dorë nga Da Silva gjatë aksionit të golit. Sipas rregullores, por edhe aq sa shikohet nga pamjet filmike, pasi nuk duket shumë qartë prekja e topit nga braziliani Da Silva del se gjyqtari Hamiti dhe ata të dhomës VAR kanë gabuar, pasi goli nuk duhej anuluar.

Me rregullore kur asisstuesi i autorit të golit e prek jo me qëllim topin me dorë, që në këtë rast nga pamjet del se topi fillimisht ka prekur në trup pastaj në dorë, goli nuk anulohet. Gabimi tjetër te ky gol është ndërhyrja e VAR pa vërshëllyer gjyqtari Hamiti. Me protokoll, VAR nuk ndërhyn në raste të tilla, kur gjyqtari nuk e ka vlerësuar rastin duke vërshëllyer dhe ndalur aksionin. Pra, gjyqtarët në kompleks kanë gabuar me anulimin e golit.

Java e 20-të – Vllaznia-Teuta 4-2

Në minutën e 31-të në këtë ndeshje, Avdyli kryen një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Gurishtës në gju. Gjyqtari Enea Jorgji gabon, pasi e ndëshkon lojtarin e Teutës me të verdhë, por nga ndërhyrja që bënte meritonte të kuqin direkt.

Java e 21-të – Partizani-Vllaznia 1-1

Në minutën e 20-të në këtë ndeshje, Bitri ndërhyn ashpër, i painteresuar për topin ndaj Latifit në mesfushë, teksa Vllaznia po niste një kundërsulm. Mbrojtësi i Partizanit e kishte një të verdhë dhe i dyti e përjashtonte. Gjyqtari Florjan Lata e fal dhe nëse i referohemi rregullores, mund të themi se ka gabuar.

Java e 22-të – Skënderbeu-Vllaznia 2-2

Kjo ndeshje i pati të gjitha. Gjyqtari Laver Alla lejoi lojën e ashpër dhe duke parë që kryesori nuk po ndërhynte në disa raste lojtarët e Skënderbeut bënë vetëgjyqësi, ku protagonist kryesor ishte Zguro. Madje, kapiteni i Skënderbeut është falur në disa raste, por kartonin e verdhë e mori vetëm në minutën e 73-të pas përplasjes me Aralicën, ku u ndëshkuan të dy. Betejën e ashpër kapiteni i korçarëve e nisi që në minutën e pestë në përplasjen me Diagne, por gjyqtari Alla nuk mori asnjë masë.

Në të 39-ën, Zguro konfrontohet me Adilin gjatë një goditjeje standarte, por sërish asnjë ndëshkim nga gjyqtari Alla. Pa filluar pjesa e dytë, Zguro ka rradhën të “kapet” me Çobën e Vllaznisë në stol, ku sërish kalon vetëm me tërheqje vëmendjeje. Duke ditur se Zgruo u ndëshkua vetëm në minutën e 75-të, i bie se ai është falur në disa raste. Pika kulmore e ndeshjes ishte penalltia e akorduar nga gjyqtari Alla për Skënderbeun në minutën e 77-të. Vrapi pengohet në zonë nga Zogoviç, Alla, i bindur, akordon penallti.

Megjithatë, më pas gjyqtari thirret nga VAR për të parë rastin. Teknologjia nuk mund të ndërhynte, përderisa gjyqtari Alla kishte akorduar penallti dhe ishte rast i pastër. Megjithatë, VAR kishte parë diçka më shumë dhe pas monitorimit të rastit u vendos nga Alla që portieri Zogoviç të ndëshkohej me karton të kuq. Duket si rast i ekzagjeruar, përderisa ishte dhënë penallti, por me rregullore, si lojtar i fundit dhe i painteresuar për topin, portieri i Vllaznisë e meritonte të kuqin. Më pas portieri malazez tërbohet në fushë, si edhe vijon beteja mes kampeve me përplasje dhe ofendime të rënda që mbeten të pandëshkuara.

Nëse gjyqtarët u treguan të drejtë te ndëshkimi me karton të kuq, përderisa u thirr nga VAR, aksioni duhej parë i plotë, pasi në fillim, para se Zogoviç të ndërhynte ndaj Vrapit, kemi një faull të shkaktuar nga Mensah ndaj Diagne, ku sulmuesi i Skënderbeut me lëvizjen e tij ka penguar mbrojtësin në kërcim për të kapur topin. Pra, aksioni mund të ndalej pa shkuar te rasti i penalltisë.

Java e 25-të – Vllaznia-Tirana 1-2

Në këtë ndeshje që u luajt në Shkodër, një raste është për moviolë në disfavor të Vllaznisë. Kështu, bëhet fjalë për golin e anulluar në dëm të Vllaznisë. Gjyqtari i ndeshjes ishte Enea Jorgji me ndihmës Ridigert Çokajn dhe Fatmir Lamën. Në VAR ishin Olsid Ferataj dhe Orgest Grabova. Në minutën e 12-të, Aralica shfaqet përsëri para portës dhe dërgon sferën në rrjetë pas dy tentativash. Anësori Çokaj nuk sinjalizon pozicion jashtë loje, pavarësisht protestave bardheblu.

Jorgji pret vendimin e VAR dhe më pas anullon golin. Së pari, nga pamjet filmike nuk jepet asnjë argument teknik, që Aralica është në pozicion jashtë loje. Madje, edhe viza e hequr nga VAR nuk tregon asgjë, sepse teknikisht dhe gjeometrikisht, teknologjia nuk e shpjegon dot që sulmuesi i Vllaznisë është në pozicion të parregullt. Nëse i sheh pamjet me vëmendje, të jepet ideja që Aralica është nisur në pozicion të rregullt, ndërsa Behiratche mban në lojë sulmuesin e Vllaznisë. Bravo për Çokajn, por gabim për AVAR, Grabova. I mohon golin e dytë Vllaznisë.


Java e 26-të – Egnatia-Vllaznia 3-0

Kjo ndeshje u gjykua nga një treshe, me kryesor Klodian Shahinin. Takimi pati një rast për moviolë, ku goli i parë i Egnatias, ndonëse u kontrollua për pesë minuta në VAR, sërish nuk u mor një vendim i argumentuar. Më shumë ishte pozicion i parregullt dhe mund të mos akordohej goli i parë i Pedros. Pikërisht në minutën e 31-të, Pedro kalon Egnatian në avantazh, por që goli të quhej i vlefshëm u shpenzuan pesë minuta kohë për t’u kontrolluar në VAR.

Ndonëse u mor gjithë ajo kohë dhe u vendos për gol, gjyqtarët mund të kenë gabuar në këtë rast, bazuar nga pamjet e servirura, Pedro ka shënuar nga pozicioni jashtë loje. Kështu mund të thuhet, pasi mungon sqarimi i detajuar nga ku mund të jenë bazuar gjyqtarët në furgonin e VAR.

Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë – Partizani-Vllaznia 0-0

Arbitrimi i kësaj ndeshjeje do të përflitet shumë gjatë për shkak të vendimeve të marra nga kryesori Olsid Ferataj. Pamjet e servirura tregojnë se gjyqtari i ka mohuar një gol të rregullt Vllaznisë dhe ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes së parë gjysmëfinale të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë. Në minutën e 94-të, Aralica shënon me kokë, pas një krosi nga goditja e këndit. Belica ankohet për goditje me bërryl të sulmuesit. Gjyqtari Ferataj shkon ta shikojë në VAR dhe në fund vendosi të anulojë golin. Pamjet tregojnë se gjyqtari ka gabuar. Kështu, shihet një kontakt i Aralicës me Belicën dhe Massangën, por në kuadrin e dyluftimit dhe jo me intensitetin e të shkaktuarit penallti. Ndërkohë, pamjet nuk janë të qarta për të përcaktuar nëse topi e ka kaluar vijën fundore gjatë krosimit.
Maringlen ZHIVANI

*Shënim – Konkluzionet e këtyre rasteve janë përcaktuar nga specialistë të moviolës dhe ish-gjyqtarë futbolli