Abissnet Superiore ka përqindjen më të lartë të barazimeve midis ligave të para të çdo vendi në Evropë. 33 nga 88 ndeshje janë mbyllur pa fitues, ose 41% e tyre. Kolonën X në renditje e dominon Tirana, me 11 barazime në 16 javë, aq sa arriti në të gjithë kampionatin e kaluar.

Abissnet Superiore është një kampionat barazimesh. Në sezonin 2024-25, janë luajtur 16 javë, me 80 ndeshje, nga të cilat 33, ose 41.25% e tyre, kanë përfunduar në barazim. Në sezonin e kaluar, në barazim përfunduan 52 nga 183 ndeshje, ose 28% e tyre. Përqindja është më e larta në Evropë në sezonin aktual, duke llogaritur vetëm ligën kryesore të çdo vendi, dhe e treta duke llogaritur edhe ligat inferiore. Në kontinentin tonë, vetëm dy grupe të kategorisë së tretë hungareze kanë përqindje më të larta barazimesh se sa Kategoria Superiore e Shqipërisë.

Grupi jugperëndimor i kategorisë së tretë në Hungari ka 49% barazime, ndërsa grupi verilindor e ka përqindjen 45. Për krahasim me disa nga kampionatet kombëtare të vendeve të tjera, në sezonin aktual në Premier League janë mbyllur në barazim 27% e ndeshjeve, në Spanjë 26%, në Gjermani 25, në Itali 29, në Francë 22 e në Belgjikë 28% e ndeshjeve.

Në kampionatin shqiptar, kolonën e barazimeve në renditje e kryeson Tirana, me 11 të tilla në 16 javë, çka do të thotë 69% e ndeshjeve të luajtura nga bardheblutë. Në shtëpi, Tirana ka barazuar 63% të ndeshjeve, ndërsa në transfertë 75% të tyre. Në sezonin e kaluar 11 barazime Tirana i arriti në të gjithë kampionatin, pra në 36 javë, ose 33% e ndeshjeve.

Në vendin e dytë është Elbasani, me 9 barazime, ose 56% e ndeshjeve, ndjekur nga Partizani me tetë barazime, që përbëjnë 50%. Java që lamë pas pati tre barazime, shifër që është përsëritur 4 herë, ndërsa rekordin e mban java e dhjetë, me katër barazime, pra në 5 nga 16 javë, më tepër se gjysma e ndeshjeve kanë përfunduar pa fitues. Java e shtatë është e vetmja ku nuk u regjistrua asnjë barazim.