Tetë nga 10 skuadra që militojnë në Kate gorinë Superiore e kanë të pashmangshme pak Shkodër mes tyre. Përveç Vllaznisë, që nga 25 lojtarë të federuar, 14 i ka vendës, sërish mund të thuhet pa frikë se shkodranët dominojnë elitën. Teuta, Laçi, Skënderbeu, Egnatia, Kastrioti, Partizani dhe Tirana kanë minimalisht në skuadër nga një futbollist, që përveçse origjinën e ka nga Shkodra, gjithashtu ka një të kaluar me Vllazninë.
Vetëm Dinamo dhe Kukësi nuk e kanë ndjekur këtë trend gjatë këtij sezoni. Në një vëzhgim të detajuar që ka bërë “Panorama Sport” për futbollistët e federuar në 10 skuadrat e Superiores, konkluzioni është i qartë: 27 janë me origjinë nga Shkodra. Madje, Vllaznia sfidon edhe kryeqytetin për numrin e futbollistëve që ka të përhapur në të gjithë elitën. Me origjinë nga Tirana dhe që sigurisht kanë një të kaluar te të tria skuadrat e kryeqytetit, aktualisht janë vetëm 25 lojtarë në kampionat.
TË TJERËT – Në investigimin e gazetës dhe pikërisht në një renditje hipotetike për qytetet, në vendin e tretë, me më shumë lojtarë përfaqësues në elitë, është Durrësi, me 9 të tillë. Tetë prej tyre janë pjesë e Teutës, ndërsa vetëm një është te Kukësi. Por, risia më e madhe vjen pikërisht nga qyteti verilindor, që ka bërë emër në dekadën e fundit.
Plot tetë lojtarë nga Kukësi janë aktualisht pjesë, jo vetëm e skuadrës së vendlindjes, por edhe në ekipe si Vllaznia, Teuta dhe Kastrioti. Nga klubet e traditës, ka një rënie të theksuar të vlonjatëve, nga ku këtë sezon vetëm 7 prej tyre po luajnë në gjashtë ekipe. Gjithashtu edhe Korça ka një përfaqësim jo të lartë, ndërsa Elbasani, Kavaja dhe Lezha, që nuk po ngrenë më kokë, duke qenë pjesë e inferiores prej vitesh, kanë aktualisht nga 7 dhe 6 lojtarë në elitë.
Futbollistët me origjinë nga Elbasani janë të stabilizuar vetëm në dy klube: Kukësi dhe Skënderbeu. Ajo që bën më tepër përshtypje është fakti se nga qytete me peshë në futbollin shqiptar në të kaluarën si Gjirokastra dhe Berati, ka gjithnjë e më pak futbollistë në elitë. Tomori mund të krenohet vetëm me Bitrin e Partizanit dhe Zikon e Laçit, ndërsa Luftëtari duhet të mjaftohet me faktin se Meksi i Skënderbeut ka origjinën nga Gjirokastra, në një kohë që si lojtar është formuar në Greqi.
Nëse shikon “hartën” e Superiores për origjinën e futbollistëve, sigurisht që të bie në sy Fushë-Kruja, teksa ky qytet i vogël ka lojtarë të afirmuar si Sherif Kallaku, Adolf Selmani, Rimal Haxhiu dhe gjithashtu Patrik Bardhi, paçka se ky i fundit ka lindur në Greqi dhe si futbollist është formuar te Tirana.
Ndërkohë, nga ekipet që nuk janë prej vitesh pjesë e Superiores, i veçantë është edhe rasti i Pogradecit, nga ku vjen kapiteni i Tiranës, Erjon Hoxhallari, por edhe ai i Skënderbeut, Vangjel Zguro. Ndërkohë, edhe pse Sabien Lilaj dhe Uerdi Mara janë personifikuar gjithnjë me Skënderbeun, të dy vijnë nga Maliqi, pavarësisht se formimi i tyre si futbollist ka pak lidhje me vendlindjen.