Pasditën e djeshme në Shkodër është zhvilluar një aktivitet mjaft interesant në sportin e atletikës. Kështu, bëhet fjalë pikërisht për Kupën e Nderimit të Figurave dhe sivjet, kjo Kupë është organizuar në nderim të dy figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Gëzim Mema dhe Vildan Tufi.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe të FSHA, kanë marrë pjesë atletet më të mirë të vendit, por edhe të ftuar nga Kosova.

Në një prononcim për mediat në lidhje me Kupën e organizuar në nderim të të atit, ka folur edhe djali i ish-trajnerit Gëzim Mema, Andi Mema. Ky i fundit u shpreh se emocionet janë të papërshkrueshme për të dhe të gjithë familjen e tij, ndërsa theksoi se falënderimet më të mëdha i shkojnë gjithë organizatorëve, pra Shoqatës së Atletikës Vllaznia, Bashkisë Shkodër dhe FSHA.

“Emocionet për ne si familje janë të papërshkrueshme për respektin që u është dhënë këtyre dy figurave që kaq shumë kontribuan për sportin shqiptar. Rikthimi në stadiumin “Loro Boriçi” dhe në këtë pistë ishte shumë emocionues edhe për ne si familjarë dhe falenderimet i shkojnë të gjithë organizatorëve, si FSHA, Bashkisë Shkodër dhe Shoqatës së Atletikës Vllaznia.

Kujtimet nga babai im, Gëzim Mema, janë të shumta që kur kam qenë unë i vogël. Unë këtu jam rritur së bashku me sportistët dhe atletët e tjerë. Kemi qenë të gjithë një familje e madhe domethënë dhe edhe tani pas ndarjes nga jeta të babait tim, vazhdojmë dhe i ruajmë ato kontakte dhe ato marrëdhënie gjithmonë”,-mbylli prononcimin e tij, Andi Mema, djali i ish-trajnerit Gëzim Mema.
Maringlen ZHIVANI