Gol ne finalen e Kupes, gol mbreme ne “Conference League”, por duket se Ardit Hoxhaj nuk eshte i kenaqur. Fakti qe shpeshere gabimet i faturohen atij dhe si rrjedhoje perfundon i pari ne stol, e kane merzitur se tepermi ate. Nje gje te tille ndoshta edhe pa dashje, e ka shprehur edhe ne konferencen e shtypit pas ndeshjes ndaj Universitatea Craiova qe u mbull ne barazim 1-1.
Sulmuesi vlonjat ka qenë shpeshherë rezultativ më tepër kur vjen nga stoli dhe këtë e konfirmoi edhe finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, ku sapo u fut në fushë barazoi rezultatin. I pyetur për faktin që kështu ndodhi sërish edhe dje, vetë Hoxhaj deklaroi:
“Më vjen për të qeshur, sepse ky rast më është bërë si një ‘deja vu’ tani. Gjithsesi, unë jam aty në shërbim të ekipit dhe më vjen mirë që ndodh kështu. Sa herë i duhem Vllaznisë, jam në momentin dhe kohën e duhur. Unë jam lojtar profesionist dhe si të jem në formacion apo të futem nga stoli, sillem njëlloj në fushë. Pra, jap 100% për skuadrën.
Ta dija që do të shënoja çdo ndeshje sa herë futem si zëvendësues, do t’i kërkoja trajnerit të qëndroja në stol gjithnjë”, theksoi sulmuesi, që më pas bëri edhe një polemikë, duke shfryrë më tepër për të kaluarën. “Nëse do të më lënë prapë në stol, do të shënoj edhe në Rumani, e sigurt.
Normalisht unë kërkoj të jem një lider te Vllaznia dhe klubi më ka ofruar një kontratë të tillë. Shumë herë, në rastet kur ekipi nuk ka pasur rezultate, jam unë që jam ulur në stol. Nuk e di pse duhet të ndodhë kjo gjë gjithmonë me mua?! Jam te Vllaznia, pasi kam refuzuar një ofertë nga jashtë për të qenë lider i ekipit. Nuk jam këtu që në një moment që Vllaznia ecën keq, të jem unë i pari që pësoj me lënien në stol.
Nuk është revoltë, sepse nëse i referohemi ndeshjes me rumunët, profesor Josa mendon të bëjë atë që është më e mira për ekipin sa i përket vazhdimësisë. Unë e kam për të shkuarën, sepse në momentin që rinovova, më pas sa herë skuadra nuk shkonte mirë, isha unë i pari që ulesha në stol”, deklaroi golashënuesi.