Elis Bakaj vazhdon të tregojë se Shakhtjor Soligorsk ka bërë mirë që ka investuar për të afruar në skuadër sulmuesin shqiptar.

Futbollisti tashmë po shënon rregullisht me ekipin e tij, në kampionat dhe në Ligën e Europës, duke e ndihmuar që të realizojë objektivat që klubi bjellorus ka për këtë edicion.

Bakaj ka realizuar sot barazimi 1-1 të skuadrës së tij ndaj Leç Poznan në turin e dytë të Ligës së Europës, për t’i dhënë bjellorusëve një shtysë për ndeshjen e kthimit.

Ishte një gol spektakolar, nga ata që di të shënojë sulmuesi shqiptar, me një diagonale që nuk mund të kontrollohej nga portieri kundërshtar, e që solli normalisht edhe duartrokitjet e tifozerisë së Shakhtior Soligorsk.

Ky ishte goli i tretë në po aq ndeshje të luajtura nga Bakaj në Ligën e Europës në këtë sezon, pasi kishte realizuar edhe në dy takimet e mëparshme ndaj Konah’s Kuej.

Duke i shtuar këtu edhe golin e realizuar përballë Dinamo Brest në kampionat, kjo ishte ndeshja e katërt radhazi në të cilën ai gjente rrugën e rrjetës, duke treguar se është në një formë të shkëlqyer. /vipsport/