Në barazim 1-1 është mbyllur “derbi” i 17 vjeçarëvë shkodranë, ai në mes Vllaznisë dhe KF Shkodrës, i luajtur paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”. Një ndeshje e cila është shoqëruar me një rivalitet të madh.
Kanë qenë kuqeblutë e trajnerit Doçi që e kanë kontrolluar lojën dhe në përpjekje për të shënuar, janë ndëshkuar nga kundërshtari.
Pas një kundërsulmi të shpejtë ka qenë Agraja ai që ka kaluar në avantazh KF Shkodrën. Një gol i cili u ka dhënë qetësinë e duhur futbollistëve të drejtuar nga trajneri Kopliku dhe pjesa e parë do të mbyllej 0-1 në favorin e tyre.
Në të dytën presioni i Vllaznisë është rritur dhe pas shumë përpjekjesh, ka ardhur edhe goli i barazimit. Ka qenë minuta e 74-të kur sulmuesi Kevin Dodaj ka dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga portieri Lujkaj.
Në minutat e mbetura sërish ka patur tentativa për të shënuar edhe golin e fitores, megjithatë nuk ia kanë dalë dhe kësisoj gjithçka është mbyllur në barazim 1-1. Dy ekipet kanë ndarë nga një pikë dhe tashmë secila prej tyre ka nga 4 pikë në renditje./SHKODRA-SPORT.COM/
VLLAZNIA U17- SHKODRA U17 1-1
Shënues: Dodaj ’79 / Agraja ’25