Këtë javë, Vllaznia në basketboll për meshkuj arriti të merrte një fitore 82-63 në shtëpi përballë Tiranës. Kështu, në këtë takim debutoi me fitore edhe trajneri i ri i Vllaznisë, Damian Bekteshi.

Pas ndeshjes, në një intervistë për mediat, Bekteshi foli rreth ndeshjes, debutimit të tij, kampionatit apo edhe të ardhmes së ekipit shkodran.

“Të them të drejtën, sot (dje) ndaj Tiranës, ishte me të vërtetë një fitore me emocione. Kjo ishte falë punës që kemi bërë gjatë gjithë javës. Një falënderim i veçantë është për lojtarët, që kanë dhënë maksimumin dhe të them të drejtën, të jesh trajner dhe të fillosh me një fitore, sidomos me Tiranën, me rezultat bindës, nuk ka gjë më të mirë.

Të them të drejtën, djemtë shkodranë kanë nevojë për minuta, sepse lojtari po ndenji në stol, normalisht nuk ke çfarë i merr. E patë edhe ju vetë që “brumin” e kanë dhe është gjynah që lojtarët tonë shkodranë, t’i lëmë të na ikin, sikur janë duke na ikur një nga një të gjithë. Kështu që, shpresoj që edhe ndeshjet tjera, do të bëjnë paraqitje dinjitoze sikur sot (dje), si Rakaj, si Memçaj, dihet edhe Shestani.

Të them të drejtën, këtë javë e kam marrë ekipin, sepse duke pasur parasysh kushtet e emergjencës që ishim dhe duhej dikush të drejtonte ekipin. Emocionet ishin se si do ta përjetoja, por them që e kalova mirë. Tani të shpresojmë. Duhet të shohim gjatë javës si do rrjedhin ngjarjet, sepse nuk e di se çfarë do bëhet, a do vijë trajneri tjetër apo do të vendoset të vazhdoj unë. Kështu që, gjatë javës do mësojmë më gjatë.

Të them të drejtën, ekipi ka nevojë për stërvitje dhe ndeshjet duhet t’i marrim një nga një, siç morëm sot (dje) Tiranën që fituam. Kështu që, duhet t’i marrim të gjitha një nga një dhe nuk duhet të kemi emocione ose frikë për çdo ekip. Lojtarët i kemi, i patë edhe vetë. “Brumin” e kemi, pse jo do synojmë sa më lart”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në basketboll, Damian Bekteshi.
Maringlen ZHIVANI