Vllaznia fitoi 1-0 ndeshjen miqësore ndaj Burrelit, të luajtur pasditën e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi”, ku vendimtar për rezultatin ishte goli i shënuar nga mesfushori Klinti Qato nga një goditje dënimi në minutën e 72-të. Në këtë miqësore, ranë në sy Flori Spahija që rikthehej nga një dëmtimi i gjatë.

Njëkohësisht edhe afrimi më i fundit i Vllaznisë, Ensar Tafili, teksa që të dy zhvilluan një paraqitje shumë pozitive për aq minuta sa ishin në fushën e lojës. Pas ndeshjes, edhe trajneri Thomas Brdariç u ndal tek këta dy futbollistë, për të cilët u shpreh se është i lumtur që janë pjesë e ekipit të tij, pasi kanë potencial të madh si lojtarë.

“Spahija dhe Tafili? Jam i lumtur që janë pjesë e ekipit, sidomos për Spahijën që rikthehet përsëri. Ata të dy janë talentë të rinj dhe kanë potencial që të dy. Ata kanë konkurrencë në pozicionet e tyre, por duhet të jemi të durueshëm dhe nuk duhet t’i vendosim nën presion. Duhet t’u jepen minuta, duhen bërë seanca stërvitore të forta dhe të shpresojmë që të jenë të gatshëm”,-tha trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.

Flori Spahija dhe Ensar Tafili janë dy lojtarë premtues për të ardhmen, që ndoshta këtë sezon me Vllazninë duhet të kenë edhe minutazhin e duhur në këmbët e tyre.
Maringlen ZHIVANI