Futbollistët e stolit të ekipit të parë të Vllaznisë janë ndeshur me ekipin e 21-vjeçarëve kuqeblu. Në ndeshjen miqësore që u luajt në fushën sportive të Kompleksit Hasaj në Golem, futbollistët e stolit të ekipit të parë fituan me rezultatin e ngushtë 2-1. Pas këtij testi brenda familjes, trajneri Thomas Brdariç u duk i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve që aktivizoi.
“Ndeshje shumë e mirë. Është e rëndësishme të luhen edhe këto lloj ndeshjesh për të parë se sa janë rritur futbollistët. Jemi duke punuar për të arritur synimin kryesor dhe për të parë hap pas hapi sa larg kanë arritur ato. Kjo ndeshje ishte për të parë futbollistët e rinj. Ne duhet të kuptojmë se është shumë e rëndësishme për t’i bërë këto ndeshje dhe ky ishte qëllimi për sot. Të gjithë futbollistët e rinj janë në fokus. Të gjithë duhet të na tregojnë se pse duhet të jenë në ekipin e parë, të na japin përgjigjet që duhet. Këtë duhet të bëjnë ata, Në përgjithësi ishte shumë e mirë si ndeshje. I falënderoj futbollistët e rinj për përformancën e sotme.”
Brdariç foli edhe për dëmtimet që janë shtuar me brazilianin Yago.
“Yago ka një problem serioz. Nuk besoj se do të jetë e mundur të luajë kundër Laçit, por duhet të gjejmë zgjidhje të tjera. Për Yagon ka për të qenë e vështirë për të luajtur me Partizanin, por kemi kohë.”
Brdariç u ndal edhe te gjendja e skuadrës kur po afron ndeshja e parë e kampionatit me Partizanin.
“Atmosfera është e mirë. Jam shumë i lumtur me çfarë kanë dhënë futbollistët deri tani. Po punojmë çdo ditë për objektivin e madh që është Partizani. Kjo është detyra jonë dhe për Partizanin jemi duke punuar shumë, për të rregulluar çdo gjë që ne të jemi gati dhe të fitojmë atje.
Deri në ndeshjen me Partizanin, duhet të shohim gjendjen e gjithsecilit në ekip, se si paraqiten ato në stërvitje, sepse gjithsecili duhet të jetë i gatshëm. Për momentin, nuk kemi Yagon, poashtu edhe Bajramin dhe Becin. Pra, kemi disa futbollistë që na mungojnë. Megjithatë, shpresoj që deri atëherë të jenë gati dhe pastaj do të vendosim për 11-shen e duhur”,-tha trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç.
Maringlen ZHIVANI