Vllaznia i ka dhënë fund pushimeve dhe pasditen e sotme kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore duke nisur në këtë mënyrë përgatitjet për ndeshjet europiane. Në fotot e publikuara nga klubi u vu re mungesa e Geralb Smajlit dhe Esat Malës me grupin.

Trajneri Thomas Brdariç, dha një prononcim për mediat ku ‘zyrtarizoi’ largimin e Smajlit i cili është në kërkim të një aventure të re. Ndërkaq, ai zbuloi edhe Gurishta është pranë rikthimit te Vllaznia.

“Jemi shumë larg me ekipin e plotë, jemi duke punuar, Tefiku (Osmani) edhe presidenti janë duke punuar për të pasur sa më shumë lojtarë në merkato, do të vazhdojmë të që të ndërtojmë një ekip të fortë.

Gjëja më ë rëndësishmë është që të kemi një balancë midis akademisë dhe atyre me eksperiencë. Për të pasur sukses duhet të jemi të gjithë bashkë, klubi, tifozat, lojtarët.

Sot do të fillojmë stërvitjen, hapi i radhës është kualifikimi në Ligën e Konferencës. Pastaj fillon sezoni dhe do synojmë maksimumin.Kur punon te Vllaznia, detyra e vetme që ke është që të bësh maksimumin. Kush është maksimumi? Maksimumi është të bëhesh kampion. Ne do të shohim se ku do të shkojmë. Nuk kam ardhur vetëm të zej një vend. Kemi pasur kohë të mira, për të përsëritur të njëjtat kohë të gjithë duhet të punojmë, duhet edhe pak fat. Nëse çdo gjë shkon mirë, do jemi shumë të lumtur.

Jemi duke punuar, siç thashë më përpara kemi marrë disa lojtarë por nuk kemi mbaruar akoma. Shpresojmë që Gurishta të nënshkruaj. Me sa di unë, Smajli do një aventurë të re. Nëse do të largohet le ta bëjë, nëse nuk do është i mikpritur.

Në merkato po punojmë së bashku. Sigurisht që presidenti dhe drejtori sportiv japin mendimet por për të vendosur, e bëjmë të gjithë bashkë. Deri më tani jemi në rrugën e duhur për të gjetur lojtarë të mirë. Nëse dikush nënshkruan, jam i sigurtë që do të na ndihmojë”.