Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia do të luajë mbrëmjen e së enjtes në orën 20:00 takimin e rradhës për kampionat në transfertën e Rrogozhinës ndaj Egnatias. Në prag të kësaj ndeshje, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç foli për mediat, ku tha se ekipi kuqeblu mezi po e pret këtë duel, pasi është një sfidë e fortë dhe e rëndësishme.
“Me Egnatian është një sfidë e madhe, një sfidë e fortë. Ata janë ekipi kampion dhe janë një ndër ekipet më të mira në kampionatin shqiptar. Ata kanë edhe një trajner me eksperiencë si Tetova, që ka bërë mirë në punën e tij. Mezi po presim të përballemi kundër tyre në mënyrën tonë më të mirë.
E dimë që është një sfidë shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të fokusuar 100%, në mënyrë që të jemi gati për çdo gjë. Normalisht që, duhet të mendojmë edhe për “Final Four”, por ka ende edhe shumë ndeshje dhe futbollistët duhet të kapin ritmin e tyre më të mirë këto ndeshje që kanë mbetur.”
Brdariç tha se Vllaznia do të shkojë në Rrogozhinë për tre pikët, por shtoi se çdo gjë është e mundur në këtë ndeshje.
“Objektivi ynë është që të marrim tre pikët dhe do të bëjmë më të mirën për t’i arritur ato, por siç e dini futbollistët duhet të vrapojnë dhe të jenë të vëmendshëm për gjatë gjithë 90-minutave për të arritur tre-pikëshin. Për këtë gjë, shkojmë në Rrogozhinë.
Jemi optimistë, sepse kemi pasur një sezon në përgjithësi pozitiv me Egnatian. Kemi bërë shumë mbledhje dhe analiza për këtë ndeshje. Ekipi është i përqëndruar dhe ne të gjithë, duke filluar nga unë, kemi uri për fitore ndaj Egnatias. A do isha i kënaqur me barazimin? Ne shkojmë gjithmonë për maksimumin. Do ta përballojmë Egnatian në një mënyrë sa më profesionale dhe çdo gjë mund të jetë e mundur.”
Egnatia-Vllaznia do të jetë kryendeshja e javës së 31-të të Abissnet Superiore, e cila do të luhet mbrëmjen e së enjtes, në orën 20:00.