Deni Uellbek po mban në ankth të gjithë tifozët e Arsenalit, pas dëmtimit që sulmuesi i “topçinjve” pësoi në takimin e djeshëm ndaj Sportingut të Lisbonës.
Një rënie normale në tapetin e fushës ka rezultuar shumë e pafat për 27-vjeçarin, i cili ishte duke kaluar një moment të mirë gjatë javëve të fundit.
Sipas mjekut anglez Xhoni Uilson, futbollisti i Arsenalit rrezikon të mos luajnë më futboll, pasi dëmtimet në kyçet e këmbës janë ndër më të rrezikshmet. Uilson i frikësohet faktit se përveç një frakture të kockave të kyçit, Uellbek mund të ketë pësuar dhe një këputje të tendinës së Akilit.
Gjithsesi edhe nëse sulmuesi shmang këtë skenar të zi, është e sigurt që ai do të mungojë gjatë. Ish-kolegu i Uellbek, Santi Kazorla pësoi një dëmtim të ngjashëm në tetor të 2016-ës që e la për më shumë se një vit e gjysmë jashtë fushave të blerta.