Nga Maringlen ZHIVANI

Drejtori teknik i ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fulvio Pea, ishte i ftuar në një takim me drejtuesit dhe trajnerët e Akademisë Vllaznia. Ai mbajti një leksion për kalimin e të rinjve nga Akademia tek ekipi i parë. Pea prezantoi para trajnerëve të Akademisë Vllaznia, punën dhe projektin e Federatës Shqiptare të Futbollit për zhvillimin e të rinjve. Në fjalët e tij për mediat, drejtori italian shpjegoi rëndësinë e këtij takimi, por gjithashtu foli edhe për fushat stërvitore, ku çuditërisht tha se nuk ka diferenca mes barit artificial apo natyral, sepse fusha sintetike nuk është problem, duke qenë se në Shkodër bie shumë shi.

“Unë jam këtu për të ndarë eksperiencën time me të gjithë trajnerët e Akademisë Vllaznia. Jam pak i habitur për mirë që sot këtu janë edhe ish-futbollistët e Akademisë dhe lojtarët e ekipit të parë. Kjo jep një ide për klubin e Vllaznisë se sa të bashkuar dhe kompakt janë. Metodologjia e punës dhe programi teknik janë thelbësore. Në Shqipëri kemi rritur numrin e skuadrave, kryesisht tek grup-moshat më të vogla. Sa i takon fushave, di që presidenti Duka është shumë i angazhuar për të ndërtuar fusha dhe qendra sportive të reja.

Këtu në Shkodër, presidenti Duka ka takuar Kryetarin e Bashkisë, z. Beci. Për çdo klub, fushat janë shumë me rëndësi, por mesa di unë presidenti Duka është shumë i interesuar për të përmirësuar këto gjëra. Personalisht, fusha sido që të jetë, si me bar natyral, ashtu edhe me bar artificial, për mua nuk ka diferencë. Nevoja është për ekipin e parë që fusha të jetë me bar natyral, pastaj për të rinjtë fusha sintetike nuk është problem, sepse e kanë mundësinë të stërviten në fusha të mira. Në Shkodër bie shumë shi dhe fusha sintetike të jep mundësinë të stërvitesh në çdo lloj mënyre.”

Drejtori teknik i ekipeve Kombëtare foli edhe për rritjen e numrit të futbollistëve të huaj në kampionatin shqiptar, ku sipas tij një gjë e tillë rrit konkurrencën në futbollin tonë.

“Do ketë më konkurrencë në Superiore, por do jetë edhe një punë më shumë për drejtuesit dhe trajnerët e Akademive në mënyrë që ata të punojnë më shumë dhe ata futbollistë, të cilët dalin nga Akademia, ta meritojnë të jenë pjesë e ekipit të parë.”

Ky leksion u organizua në sallën e konferencave të stadiumit “Loro Boriçi”, ku morën pjesë drejtuesit dhe trajnerët e Akademisë Vllaznia.