Botërori i Atletikës që ka filluar sot në Doha të Katarit ka dhuruar disa pamje të cilat po bëjnë xhiron e botës, pasi tregojnë se çfarë është sportiviteti i vërtetë e sakrifica për të arritur objektivat.
Në kualifikueset e 5000 metrave, e gjithë vëmendja në një nga bateritë nuk ishte te ata që dolën të parët, por te kush përfundoi i fundit. Në xhiron e fundit të garës së tij, Xhonatan Basbi i Aruba, nuk mund të rrinte në këmbë dhe i këputur nga lodhja u rrëzua në tokë.
Por Braima Dabo i Guinea Bisau, me një gjest të veçantë sportiviteti, shkoi të kundërshtari i tij dhe filloi ta shoqëronte duke e mbajtur nga krahët, ndërsa i gjithë stadiumi u çua në këmbë duke duartrokitur derisa ata mbaruan garën, edhe pse thuajse me 5 minuta vonesë.
Pamjet kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, me tifozë të shumtë që kërkojnë që dy atletëve të cilët mbyllën garën të fundit, të nderohen me medalje nga organizatorët. /vipsport/