Tifozët e Tiranës sot kanë prekur pikën më të ulët. Sikur të mos mjaftonte kontestimi që i kanë bërë lojtarëve apo presidencës, sot kanë bërë një gjest tejet të shëmtuar, duke sulmuar lojtarët e skuadrës së tyre.
Me pretendimin se po kërkonin llogari ndaj futbollistëve në fushë, ultrasit e skuadrës bardheblu kanë hyrë në fushën e lojës dhe kanë ndalur fillimisht Dokën e pastaj Imamin, duke i kërkuar që të hiqnin fanellat dhe pasi kanë ndeshur në kundërshtimin e lojtarëve, nuk kanë ngurruar të zihen me ta.
Pasi stjuardët e kishin të vështirë të ndalonin pushtimin e fushës, në terren ka hyrë policia e cila ka qenë e vetmja që qetësoi gjakrat ndërsa tifozët iu mbathën vrapin për të dalë nga fusha para se të ndaloheshin nga forcat e rendit.
Gjithsesi, kjo është një ngjarje e turpshme e cila me siguro do të sjellë pasoja të rënda për klubin bardheblu, i cili vazhdon të dënohet nga tifozeria e vet ndoshta edhe më shumë se nga rezultatet në fushën e lojës. /vipsport/