Nga Maringlen ZHIVANI
Ekipi i Vllaznisë në volejboll për femra është mposhtur me rezultatin 1-3 nga Tirana brenda në Shkodër. Pas ndeshjes, duke folur për gazetarët, trajnerja kuqeblu Nora Deda, ishte e zhgënjyer nga kjo humbje, teksa tha se disa nga volejbollistet kryesore të ekipit nuk morën përsipër aq sa duhet në këtë duel.
“Loja pati rivalitet, por Tirana është ekip që ka kualitete, jo vetëm me volejbollistet e huaja, por edhe volejbollistet shqiptare janë lojtare cilësore. Po t’i krahasosh me volejbollistet tona bëjnë shumë diferencë. Ne kishim mundësi ta fitojmë edhe setin e katërt nëse do të kishim mobilizim dhe besim më shumë, por volejbolli ky është dhe shpesh herë kur mungon besimi dhe kur volejbollistet kryesore nuk marrin përsipër sa duhet, nuk mund të kurorëzosh me sukses.
Vllaznia po stërvitet shumë, po jep maksimumin e vet, pavarësisht këtij rezultati të pritshëm, sepse Tirana sivjet konkurron për kampion me ekipin e Skënderbeut. Kjo nuk është loja e ekipit që unë stërvis çdo ditë, sepse ekipi shquhet për një lojë të mirë në mbrojtje, por këtë herë loja në mbrojtje la për të dëshiruar dhe kjo uli nivelin e rivalitetit.”
Trajnerja Deda beson tek arritja e objektivit që Vllaznia ka, ndërsa foli edhe për ndeshjen e rradhës që ekipi kuqeblu ka ndaj Teutës së Durrësit.
“Vllaznia do ta arrijë objektivin. Nga ditë në ditë, ekipi po vjen e rritet çdo ditë e më mirë. Vajzat e njohin mirë lojën e njëra-tjetrës, por edhe kjo shkëputja e kampionatit dhe planifikimi i Federatës, me dy javë pushim, sikur bjen pak ritmi i lojës dhe grinta. Ndeshja e ardhshme me Teutën? Luajmë pas dy javësh në Durrës. Është ndeshje e vështirë, sepse të gjitha ekipet kanë bërë afrime. Ne do luajmë si të barabartë. Teuta është ekip shtatlartë, por nuk e ka pjekurinë e ekipit tonë. Ne do të synojmë fitoren dhe për atë do të shkojmë në Durrës”,-mbylli prononcimin e saj, trajnerja e Vllaznisë në volejboll për femra, Nora Deda.