Trajneri i Teutës, Edi Martini, është i kënaqur me periudhën përgatitore në Pukë, teksa prej katër ditësh në stadiumin “Ismail Xhemali”, skuadra durrsake po kryen stërvitje dhe njëkohësisht ka zhvilluar miqësoren e parë kundër Vllaznisë U-21 të mërkurën.

“Edhe para katër vitesh kur kemi dalë kampion, fazën përgatitore e kemi bërë në Pukë. Unë jam supersticioz si natyrë dhe shpresoj që të na ndodhi sërish. Kushtet këtu në Pukë janë shumë të mira, duke filluar nga fusha, klima e freskët dhe mikpritja që na është bërë. Është një vend fantastik për të kryer fazë përgatitore dhe po mundohemi të marrim maksimumin”, ka thënë fillimisht Martini.

I ngacmuar për atë që pret ende nga merkato, trajneri theksoi se skuadra është e kompletuar në masën 90 %, në një kohë që deri tani janë afruar emra si Antonio Marku, Ardit Peposhi, Emiljano Vila, Renaldo Torraj, Endri Reçi dhe Geri Selita.

“Pothuajse e kemi të kompletuar skuadrën në masën 90 %. Presim edhe dy afrime të fundit, plus edhe një lojtar nga Egjipti, me të cilin kemi firmosur. Gjithsesi, jemi thuajse në përfundim dhe në kulmin e përgatitjeve. Shpresojmë të bëjmë mirë këtë sezon”, përfundoi Martini.